Burjani: Fushata LDK-Vjosa do të ndërtohet mbi narrativën kundër Kurtit

Analisti Blerim Burjani ka vlerësuar se fushata e ardhshme politike mes LDK-së dhe Vjosa Osmanit kundër Albin Kurtit pritet të jetë e ashpër, e polarizuar dhe e fokusuar më shumë te figurat politike sesa te programet.

Sipas tij, zgjedhjet erdhën si rezultat i krizës politike dhe dështimit për zgjedhjen e presidentit, duke e kthyer garën në një përballje direkte politike mes Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit.

Burjani thotë se LDK do të tentojë ta paraqesë Kurtin si shkaktar të krizave dhe bllokadave institucionale, ndërsa Vjosa Osmani do të përdoret si figurë më e moderuar dhe simbol i stabilitetit institucional.

“Kurti krijon krizë – ne sjellim zgjidhje”, pritet të jetë mesazhi kryesor i kësaj fushate, sipas tij.

Ai vlerëson se narrativa e LDK-së do të mbështetet në katër shtylla kryesore: kriza politike e shkaktuar nga LVV, izolimi ndërkombëtar, mungesa e konsensusit dhe promovimi i LDK-së si alternativë tradicionale shtetformuese.

Megjithatë, Burjani thekson se LDK përballet edhe me dobësi, si struktura më e dobët elektorale dhe paqartësitë rreth rolit aktiv të Osmanit në fushatë.

Nga ana tjetër, ai thotë se LVV do ta kundërshtojë këtë narrativë duke e portretizuar LDK-në dhe Osmanin si pjesë të “elitës së vjetër” dhe faktor bllokues të reformave.

Sipas parashikimit të Burjanit, LVV mbetet favorite për shkak të strukturës më të fortë politike dhe rezultatit të zgjedhjeve të fundit, ndërsa LDK synon kryesisht dobësimin e Kurtit dhe forcimin e pozitës për koalicione të mundshme paszgjedhore.

Go to TOP