Shtim i alergjive dhe problemeve respiratore në pranverë
Pavarësisht anës pozitive qe sjell stina e pranverës, për shumë njerëz shoqërohet edhe me alergji, përkeqësim të astmës dhe probleme tjera. Prandaj, profesionistët shëndetësorë këshillojnë të kujdeseni për shëndetin duke mos i neglizhuar simptomat.
Që nga fillimi i stinës së pranverës, në Klinikën e Pulmologjisë në QKUK janë shtuar rastet e pacientëve që kërkojnë trajtim. Poleni në ajër, ndryshimet e temperaturës dhe pluhuri janë disa nga shqetësimet kryesore të pacientëve, duke u shkaktuar vështirësi në frymëmarrje, lodhje dhe probleme të tjera.
“Në pranverë kemi një numër të madh të alergjenëve inhalatorë që merren përmes ajrit, të cilët më pas shkaktojnë probleme respiratore te personat që janë alergjikë ndaj këtyre alergjenëve. Një prej problemeve më të shpeshta sa i përket shëndetit respirator është pikërisht astma bronkiale, e cila në shumicën e rasteve ka bazë alergjike. Në këto raste, këta persona kanë përkeqësim të gjendjes pikërisht për shkak të alergjive dhe për këtë arsye kemi numër të shtuar të vizitave te pulmologët”, tha Besim Morina, pulmolog.
Përjashtim nuk bën asnjë kategori, ndaj si fillim është shumë i rëndësishëm identifikimi i alergjive.
“Kur është puna te disa persona, për fat të keq prezenca e polenit bën që ata të ndihen keq. Sidomos fëmijët që janë me astmë, por edhe të rriturit që kanë bronkit kronik obstruktiv, i cili mund të jetë shkaktuar nga dëmtimi i mushkërive apo pirja e duhanit. Edhe këtu kemi të njëjtat kategori të rrezikuara, nga fëmijët shumë të vegjël e deri te gratë shtatzëna dhe të moshuarit”, thotë Rushit Ismaili, specialist i mjekësisë familjare.
Ndryshe nga vjeshta dhe dimri, ku kemi të bëjmë më shumë me probleme infektive dhe grip sezonal, pranvera vjen me specifikat e veta. Megjithatë, nuk duhet harruar edhe ana pozitive e saj, duke filluar nga gjelbërimi e deri te rrezet e diellit, të cilat ndikojnë pozitivisht në organizëm.
