Ka nisur gjykimi mes Media Grup Publico dhe RTK-së

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur gjykimi mes Media Grup Publico dhe RTK-së lidhur me publikimin e një lajmi për financime nga Serbia të disa medieve në Kosovë.

Përfaqësuesit ligjorë të Transmetuesit Publik kanë hedhur poshtë akuzat e Media Grup Publico në seancën gjyqësore. Pala paditëse pretendon që është shkelur kodi i etikës me publikimin e një lajmi të marrë nga një medium boshnjak, ku raportohej për financimet nga Serbia të disa medieve në Kosovë.

Përfaqësuesit ligjor të Radiotelevizionit të Kosovës kanë kundërshtuar duke theksuar se paditësi nuk ka arritur t’i provojë elementet e përgjegjësisë civile për shpifje.

“Qëndrimi ynë është i qartë se paditësja nuk ka arrit të provoj asnjërën prej elementeve thelbësore të përgjegjësisë civile për shpifje sipas ligjit civil kundër shpifjes dhe fyerjes përkatësisht  publikimin e një fakti të pavërtetë nga e paditura, ekzistimin dëmit real si dhe lidhjes shkakësore ndërmjet publikimit dhe dëmit të pretenduar”, ka thënë Arbenitë Gashi, përfaqësuese ligjore në RTK.

“E paditura RTK në edicionin e lajmeve qendrore 22.07.2024 ka publikuar një lajm i cili i referohej një artikulli të publikuar nga mediumi boshnjak, ” Sllobodna Bosna”, në këtë kronikë janë përdorur formulime të qarta, “sipas mediumit boshnjak” mediumi raporton se ” çka dëshmon qartë se RTK nuk e ka paraqitur informacionin si prodhim origjinal të vetin por si informacion i marr nga një burim i identifikuar qartë”.

Tutje përfaqësuesja ligjore e RTK-së ka deklaruar se më 23 korrik 2024 janë publikuar reagimet në edicionin qendror të lajmeve, ndërsa pas ankesës në KPM i është mundësuar paditëses publikimi i demantit të plotë më 1 tetor 2024.

Avokati i palës paditëse, Kujtim Kërveshi, tha se qëndrojnë në tërësi pranë padisë dhe, sipas tij, RTK nuk ka bërë balancimin e fakteve.

“Nga përmbajtja e padisë dhe provat materiale është i padiskutueshëm fakti se e paditura RTK, si institucion publik ka publikuar lajmin e rrem shpifës duke u mbështetur por pa i vlerësuar fare faktet pa bërë ndonjë balancim të përmbajtjes së shkrimit të një mediumi, në shqip “Bosna e lirë në shqip”,  “Slobodna Bosna”, ku dy mediume të Republikës së Kosovës mediume private një nga ato paditësja ndaj së cilës ky shkrim shpif, në formë të paskrupullt”, ka thënë Kujtim Kërveshi avokat i palës paditëse.

Sa i përket propozimit për nxjerrjen e ekspertizës financiare, përfaqësueset ligjore të RTK-së e kanë  kundërshtuar si të parakohshëm dhe të pabazuar, duke theksuar se në këto rrethana, një ekspertizë e tillë do të ishte spekulative dhe e panevojshme, duke i propozuar gjykatës që ta refuzojë.

Go to TOP