Arsenal fiton ndaj Fulham dhe vazhdon garën për titull
Arsenal ka regjistruar fitore bindëse 3:0 ndaj Fulham, duke vazhduar garën për titullin kampion në Premier League.
Me këtë triumf, “Topçinjtë” janë ngjitur përkohësisht në vendin e parë të tabelës, para ndeshjes së Manchester City ndaj Everton.
Skuadra londineze e ka nisur më mirë takimin dhe ka kaluar në epërsi që në minutën e nëntë. Bukayo Saka ka depërtuar nga krahu i djathtë dhe ka asistuar për Viktor Gyokeres, i cili ka realizuar pa vështirësi për 1:0.
Arsenal ka vazhduar me presion të madh gjatë pjesës së parë. Bernd Leno ka bërë disa pritje të mira për mysafirët, por nuk ka mundur ta ndalë golin e dytë. Në minutën e dyzet, kësaj radhe Gyokeres ka asistuar për Saka, i cili ka goditur saktë për 2:0.
Pak para pushimit ka ardhur edhe goli i tretë. Gyokeres është gjendur sërish në vendin e duhur dhe me kokë e ka dërguar topin në rrjetë, duke vulosur një pjesë të parë fantastike për vendasit.
Në pjesën e dytë, trajneri Mikel Arteta ka bërë disa ndryshime dhe ka pushuar lojtarët kryesorë para ndeshjes së kthimit në gjysmëfinale të Champions League ndaj Atletico Madrid.
Fulham ka pasur disa raste, por pa sukses. Në anën tjetër, Arsenal e ka kontrolluar lojën deri në fund dhe e ka konfirmuar formën e mirë me fitoren e dytë radhazi në kampionat.
Fulham mbetet në vendin e dhjetë, por ende ruan shpresa për një vend që dërgon në garat evropiane.
