Haliti kritikon ashpër Ministrinë e Bujqësisë: Mbështetja rekord nuk përputhet me realitetin
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka reaguar publikisht ndaj deklaratave të ministrit të Bujqësisë, Armend Muja, lidhur me Kornizën Buxhetore për vitin 2026, duke i cilësuar ato si të shkëputura nga gjendja reale në terren.
Në reagimin e tij, Haliti thotë se pretendimet për “mbështetje rekord” nuk reflektojnë nevojat e fermerëve dhe nuk përkthehen në zhvillim konkret të sektorit bujqësor.
“Kjo nuk është mbështetje zhvillimore. Kjo është një qasje që nuk e njeh bujqësinë reale dhe nuk i përgjigjet nevojave konkrete të fermerëve,” deklaron ai.
Ai ngre shqetësim për mungesën e bashkëpunimit ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal, duke theksuar se politikat po hartohen pa përfshirjen e komunave.
“Pa bashkëpunim me komunat, çdo strategji mbetet e shkëputur nga realiteti,” shprehet Haliti.
Duke folur për subvencionet, ai paralajmëron për keqpërdorime në disa raste, ku sipas tij fondet nuk kanë prodhuar zhvillim të qëndrueshëm.
“Ka raste kur subvencionet janë përdorur për krijim formal të fermave, të cilat më pas janë shitur, ndërsa mjetet janë shndërruar në përfitime personale. Kjo është keqmenaxhim,” thekson ai.
Haliti shton se Kosova vazhdon të mos i plotësojë as nevojat bazike me produkte ushqimore si vezët, mishi i pulës dhe drithërat e bardha, duke e konsideruar këtë si tregues të dështimit të politikave aktuale.
Ai kritikon edhe mungesën e reformave strukturore në sektor, përfshirë funksionalizimin e agrokomplekseve dhe mungesën e një modeli të integruar të prodhimit dhe përpunimit.
Në fund, Haliti bën thirrje për ndryshim të qasjes institucionale, duke theksuar se vendi ka potencial për të rritur prodhimin vendor dhe për të ulur varësinë nga importi.
“Fermerët nuk kanë nevojë për deklarata, por për politika konkrete që i ndihmojnë të prodhojnë dhe të qëndrojnë në treg. Pa orientim të qartë drejt prodhimit vendor, Kosova do të mbetet e varur nga importi,” përfundon ai.
