Shtyhet seanca për krime lufte ndaj Momir Pantiq dhe Zharko Zariq

Seanca gjyqësore ndaj Momir Pantiq dhe Zharko Zariq për akuza për krime lufte në Gjykata Themelore në Prishtinë është shtyrë, pasi një gabim teknik pengoi realizimin e transportit të të akuzuarve në sallën e gjyqit.

Seanca e planifikuar për sot në Gjykata Themelore në Prishtinë ndaj Momir Pantiq dhe Zharko Zariq është shtyrë për shkak të një gabimi teknik.

Gjyqtarja Donikë Shala Abdyli sqaroi se urdhëresa për njësinë e transportit nuk ishte dërguar siç duhet me email, duke e cilësuar këtë si një lëshim teknik dhe jo procedural.

Në sallën e gjyqit ishin të pranishëm trupi gjykues, prokurori Armend Zenelaj, përfaqësuesi i viktimave Veton Rudaku, dëshmitarët Enver Lipa dhe Rahime Lipa, si dhe mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Jovana Filipoviq dhe Millosh Deleviq.

Sipas aktakuzës së ngritur më 1 shtator 2024 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Pantiq dhe Zariq dyshohen për kryerjen e veprës penale “krime lufte kundër popullsisë civile”. Ata akuzohen se më 19 maj 1999, në fshatin Dubravë, pas bombardimeve të NATO në Burgun e Dubravës, në bashkëpunim me forcat policore serbe, kanë ushtruar dhunë të organizuar ndaj të burgosurve shqiptarë.

Aktakuza përfshin pretendime për vrasje, plagosje dhe keqtrajtime të rënda gjatë kësaj periudhe.

Go to TOP