Asociacioni mbi tryezë, jo pazaret për president: Kritika ndaj propozimit të Kurtit

Analisti Arbnor Sadiku ka kritikuar ashpër propozimin e kryeministrit Albin Kurti drejtuar opozitës për të propozuar tre kandidatë për president duke e cilësuar atë si një manovër politike që nuk e adreson problemin thelbësor të vendit.

Sipas Sadikut, fokusi i skenës politike është zhvendosur gabimisht tek “lojërat për poste”, ndërkohë që sfida reale që e pret Kosovën pas zgjedhjeve mbetet çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Ai thekson se pa një formulë të qartë për implementimin e këtij mekanizmi, e cila ruan funksionalitetin e shtetit dhe është e pranueshme ndërkombëtarisht, vendi rrezikon të futet në cikle të vazhdueshme krizash politike.

Sadiku e konsideron propozimin ndaj partive opozitare si Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës për të sjellë tre emra për president, si një qasje që nuk sjell zgjidhje reale, por vetëm e zvarrit procesin.

“Koha kërkon zgjidhje të mirëfillta dhe jo improvizime politike,” vlerëson ai duke shtuar se trajtimi serioz i Asociacionit është kyç për stabilitetin afatgjatë të Kosovës, pavarësisht se kush është në pushtet. /Kosova.info/


Go to TOP