“Tortura më e madhe për qytetarët”, Tahiri kritikon Qeverinë për vonesat në rrugën Prishtinë–Klinë

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka kritikuar Qeverinë dhe Ministrinë e Infrastrukturës për gjendjen e rrugëve në vend, duke ngritur shqetësime për vonesat në disa projekte kyçe.

Ai në seancën e sotme plenare ka veçuar si problematikë të madhe rrugën Prishtinë-Klinë, konkretisht segmentin Klinë–Gjurakovc, ku sipas tij qytetarët e Dukagjinit përballen me kolona të gjata që zgjasin me orë, duke vështirësuar edhe qarkullimin e lirë.

“Po ju drejtohem për një temë që është bërë tortura më e madhe për qytetarët e Dukagjinit që udhëtojnë prej Prishtinës atje. Rruga e cila e lidh Prishtinën e Klinën, më saktësisht Klinë-Gjurakovc është bërë torturë me kolona t3ë cilat  me orë dhe jo me minuta, janë duke e penguar qarkullimin e lirë, derisa nuk ka veprim prej Qeverisë rreth kësaj teme”.

“Çështja e dytë lidhet me rrugën Gjakovë -Dollc, deputetë të nderuar, kjo rrugë është nisur para shtatë vitesh, ndërsa kjo Qeveri është në detyrë më shumë se  pesë vjet.”

Ai ka theksuar se vonesa dhe probleme të ngjashme po vërehen edhe në projekte të tjera infrastrukturore në pjesë të ndryshme të Kosovës, duke kërkuar më shumë angazhim institucional për përfundimin e tyre.

Go to TOP