Ndërron jetë legjenda e Blackburn Rovers, Tony Parkes

Ish-mesfushori dhe një nga figurat më të respektuara të Blackburn Rovers, Tony Parkes, ka ndërruar jetë paraditen e sotme në moshën 76-vjeçare.

Lajmi u konfirmua nga vetë klubi anglez, ku Parkes la gjurmë të thella për më shumë se tri dekada.

I lindur në Sheffield, ai iu bashkua Blackburn-it në vitin 1970 dhe gjatë karrierës si lojtar zhvilloi mbi 400 paraqitje deri në vitin 1982, duke u shndërruar në një nga emrat më të qëndrueshëm të skuadrës në atë periudhë.

Pas përfundimit të karrierës aktive, Parkes vazhdoi kontributin e tij në klub si pjesë e stafit teknik. Ai ishte ndihmës-trajner i Kenny Dalglish gjatë sezonit historik 1994/95, kur Blackburn Rovers u shpall kampion i Premier League.

Gjatë viteve, Parkes mori gjithashtu disa herë drejtimin e ekipit si trajner i përkohshëm, duke shërbyer në këtë rol në gjashtë periudha të ndryshme mes viteve 1986 dhe 2004 dhe duke udhëhequr skuadrën në gjithsej 74 ndeshje.

Në vitin 2020, ai u diagnostikua me Alzheimer. Dy vite më vonë, vajza e tij Natalie nisi një fushatë për mbledhje fondesh për të përballuar kostot e larta të kujdesit shëndetësor.

Tony Parkes do të mbahet mend si një figurë simbol e Blackburn Rovers dhe një shërbëtor i përkushtuar i klubit, kontributi i të cilit shtrihet përtej fushës së blertë.

Go to TOP