Dienit Isufi shpallet ‘Ylli i Javës’

Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar Albi Mall, ka vazhduar ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, i cili i takon futbollistit më të dalluar në elitën e futbollit kosovar.

Për javën e 29-të të këtij edicioni, ky çmim i është dhënë për herë të dytë futbollistit të KF Dukagjini, Dienit Isufi.

Isufi pati një paraqitje vendimtare në ndeshjen ndaj SC Gjilani, ku shënoi një gol dhe fitoi një penallti për ekipin e tij, në sfidën që përfundoi me rezultatin 2:3 në favor të Dukagjinit, duke siguruar tri pikë shumë të rëndësishme.

Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit pranë FFK-së.

Pas marrjes së çmimit, Isufi u shpreh i kënaqur për këtë vlerësim, duke theksuar rëndësinë e fitores dhe objektivat e skuadrës.

“Kemi pasur një ndeshje shumë të rëndësishme kundër Gjilanit dhe këto tri pikë na japin vetëbesim për sfidën e radhës në Kupë kundër Ballkanit, por edhe qetësi për vazhdimin e kampionatit”, tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.

“Synimi ynë është ta fitojmë Kupën e Kosovës për të siguruar pjesëmarrjen në garat evropiane dhe besoj se mund ta arrijmë këtë. Gara ende nuk ka përfunduar dhe ne mbetemi maksimalisht të përqendruar. Për këtë çmim falënderoj familjen time, bashkëlojtarët dhe stafin e klubit, sepse pa ta nuk do të ishte e mundur kjo paraqitje,” ka theksuar Isufi.


Go to TOP