PSG mposhtet nga Lyon, rikthehet gara për titull në Francë
Paris Saint-Germain ka pësuar humbje të papritur 2-1 ndaj Olympique Lyonnais në “Parc des Princes”, duke i dhënë një kthesë të re garës për titull në Ligue 1.
Skuadra parisiene, që vinte pas gjashtë fitoreve radhazi në të gjitha garat dhe kualifikimit në gjysmëfinale të Champions League, është ndëshkuar shpejt nga mysafirët. Lyon ka realizuar dy gola brenda njëzet minutave të parë, fillimisht me Endrick dhe më pas me Afonso Moreira, duke shfrytëzuar pasigurinë e vendasve.
PSG ka pasur mundësi të rikthehej në lojë, por Gonçalo Ramos e ka humbur një penallti në pjesën e parë. Në vazhdim, trajneri Luis Enrique ka tentuar ta ndryshojë rrjedhën e ndeshjes me zëvendësime, por pa sukses të menjëhershëm.
Në pjesën e dytë, Khvicha Kvaratskhelia e ka ngushtuar rezultatin, megjithatë nuk ka mjaftuar për të shmangur humbjen. PSG mbetet në krye, por tashmë me vetëm një pikë avantazh ndaj ndjekësve, duke e bërë garën për titull shumë më të hapur.
Nga ana tjetër, Lyon rikthehet në vendin e tretë, duke rritur shpresat për kualifikim në Champions League.
