Hoti: Kosova s’duhet të ketë president nga LVV, paralajmëron rrezik të përqendrimit të pushtetit

Ish-kryeministri i Kosovës, Abdullah Hoti, ka deklaruar se vendi duhet të zgjedhë një president që nuk vjen nga Lëvizja Vetëvendosje duke theksuar se vetëm kështu mund të ruhet balanca e pushteteve dhe të shmanget përqendrimi i tyre në një dorë të vetme.

Sipas Hotit, presidenti duhet të jetë një figurë me integritet të lartë personal, akademik dhe shoqëror, i cili ka prioritet kushtetutshmërinë dhe nuk udhëhiqet nga interesa për mandate të ardhshme.

Ai ka kritikuar zhvillimet e pesë viteve të fundit duke përmendur nënshkrimin e ligjeve që, sipas tij, kanë qenë në kundërshtim me Kushtetutën nga presidentja Vjosa Osmani, pa u kthyer për rishqyrtim në Kuvend. Po ashtu, Hoti përmendi edhe shkarkimin e kryesueses së KQZ-së, mungesën e emërimit të Kryeprokurorit për një periudhë të gjatë, si dhe mosreagimin ndaj veprimeve të Agjencia e Kosovës për Inteligjencë.

Në deklaratën e tij, ai ngriti shqetësime edhe për, siç tha, sulmet ndaj mediave dhe bizneseve, si dhe për caktimin e datës së zgjedhjeve mbi baza partiake.

Hoti theksoi se nëse nuk sigurohet një president i tillë konsensual, vendi duhet të shkojë në zgjedhje, si rrugë për të rikthyer balancën demokratike në institucione. /Kosova.info/

Go to TOP