Arrestohet një zyrtar policor për ngacmim, IPK nis hetimet
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), përkatësisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve, kanë arrestuar sot një zyrtar policor nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Ngacmim”.
Sipas njoftimit, rasti është iniciuar pas informacioneve të pranuara nga një ankues, i cili ka denoncuar veprimet e dyshuara të kundërligjshme të zyrtarit policor.
Pas pranimit të këtyre informacioneve, hetuesit e IPK-së, në koordinim me prokurorinë, kanë ndërmarrë veprime hetimore, të cilat kanë rezultuar me arrestimin e të dyshuarit. Me vendim të prokurorit kompetent, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
IPK ka bërë të ditur se, në bashkëpunim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojë me veprime të tjera hetimore për të ndriçuar plotësisht të gjitha rrethanat e këtij rasti. /Kosova.info/
