Haxhiu: Demonstratat e vitit 1981 krijuan një ndërgjegjësim të ri shoqëror
Nën përkujdesjen e kryeministrit Albin Kurti po mbahet akademi përkujtimore për 45-vjetorin e demonstratave të vitit 1981.
Në këtë akademi kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se lëvizja e studentëve në vitin 1981 nuk pasqyronte vetëm protestë kundër sistemit shtypës por ishte edhe një kthjellim i vetëdijes kolektive dhe diferencim i qartë midis atyre që e pranonin Status-quo-n dhe atyre që kërkonin ndryshim dhe pikërisht këtu qëndron rëndësia e saj politike.
Haxhiu shtoi se demonstratat e vitit 1981 krijuan një ndërgjegjësim të ri shoqëror i cili e ndryshoi në mënyrë thelbësore mënyrën se si shqiptarët e Kosovës e shihnin vetën dhe të ardhmen e tyre.
“Sot duke i kujtuar demonstratat e vitit 1981 i nderojmë me respekt të thellë të gjithë pjesëmarrësit që i dhanë jetë atij zhvillimi politik, studentët, aktivistët dhe qytetarët që u bashkuan rreth një kërkese të përbashkët për barazi, dinjitet dhe për Kosovën Republikë të cilën e gëzojmë sot”, tha Haxhiu.
Kurti: Shqiptarët në Jugosllavi ishin të shtypur
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në akademinë përkujtimore mbajtur në 45-vjetorin e demonstratave të studentëve të vitit 1981, tha se “prej vitesh, veçanërisht në periudhën e lirisë, çdo pranverë i kemi kujtuar demonstratat e marsit dhe të prillit të vitit 1981 në Kosovë si ngjarje kapërcyese apo si një prag i mirëvendosur që rri poshtë një dere me peshë të rëndë e cila e kishte mbyllur një epokë në njërën anë dhe e kishte hapur një epokë tjetër të re në anën tjetër”.
“Sivjet, në këtë përvjetor, kur u bënë 45 vjet nga demonstratat e ’81-shit, jam shumë i gëzuar që ju shoh të gjithëve këtu së bashku për të ndarë kujtime dhe për të reflektuar mbi ngjarjet që i kanë prodhuar ato. Si drejtues i qeverisë e shtetit tonë e kam kënaqësinë e veçantë të jem nikoqir i kësaj akademie përkujtimore, meqë ky takim është organizuar nga zyra e kryeministrit të Republikës Kosovës, të asaj Republike dhe të asaj Kosove për të cilën është brohoritur aq fuqishëm dhe e cila është shkruar aq shumë pikërisht në demonstratat e vitit 1981”, tha kryeministri Kurti.
“Akronimi KR si një storie e parullës Kosova Republikë përmbledh idealet politike të disa gjeneratave dhe shqiptarëve të Kosovës, të shqiptarëve në Jugosllavi dhe të kombit shqiptar në përgjithësi. Rrjedhimisht kërkesa për Republikën e Kosovës, thirrja ‘Kosova-Republikë’, është një nga shënjuesit me më së shumti ngarkesa kuptimore politike në tërë filozofinë dhe historinë e mendimit politik. Duke qenë në këtë sallë mes kaq shumë aktivistësh politikë që janë organizatorë e pjesëmarrës dëshmitarë dhe trashëgimtarë të demonstratave, mua nuk më takon të rrëfej për ngjarjet e asaj kohe, meqë për ju ato janë përjetime të ngulitura në kujtesën tuaj”, tha Kurti.
Ndërsa profesori Bajram Kosumi tha se demonstratat e vitit ’81 janë një prej ngjarjeve të mëdha në historinë e re të Kosovës dhe të shqiptarëve. Ato lanë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën kolektive dhe, që në ditët e para, rreth tyre u krijuan mite, të cilat edhe sot duken madhështore.
“Demonstratat e vitit ’81 janë të mëdha dhe historike, sepse me kërkesën për Republikën e Kosovës ato e ndryshuan rrjedhën politike dhe historike të Kosovës dhe të shqiptarëve në Jugosllavi. Ato bënë kthesën dhe e ndanë historinë e Kosovës në dy epoka. Ato rrënuan të gjitha paradigmat politike, nacionale dhe strategjike të Kosovës dhe hapën shumë rrugë të reja për Kosovën dhe shqiptarët”, tha Kosumi.
Për gruan shqiptare, që në demonstratat e vitit 1981 ishte si shtyllë, zë i lirisë dhe kujtesë e gjallë e Republikës së Kosovës, foli Elmije Plakiqi, pjesëmarrëse në këtë ngjarje, e dënuar nga ish-regjimi dhe më vonë pjesëtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ajo tha se gruaja shqiptare në demonstratat e vitit ’81 ishte shtylla e qëndresës, zëri i lirisë dhe kujtesa e gjallë e Republikës.
“Demonstratat e vitit 1981 ishin një nga ngjarjet më të rëndësishme historike në Kosovën e pas Luftës së Dytë Botërore. Demonstratat e ’81 ishin si një hyrje në kthesën e madhe që e priste popullin shqiptar të Kosovës. Ato ishin paraprijëse të ngjarjeve dhe protestave të mëvonshme të viteve ’89–’90, të formimit të celulave të para të UÇK-së dhe të luftës çlirimtare të këtij populli për t’u çliruar një herë e përgjithmonë nga okupatori serb”, tha Plakiqi.
Ajo tutje tha se roli i gruas në këto ngjarje ishte i shumanshëm dhe thelbësor, duke përfshirë pjesëmarrjen aktive, qëndresën ndaj represionit dhe kontributin në ruajtjen e identitetit kombëtar.
“Në këtë kontekst, roli i gruas shqiptare përbën një dimension të rëndësishëm të rezistencës shoqërore dhe kombëtare. Gruaja ka luajtur një rol vendimtar dhe aktiv në demonstratat e vitit ’81. Ato ishin forcë politike dhe morale dhe pjesë aktive e demonstratave”, tha ajo.
