Gjuha e Kurtit ndaj mediave, Musliu-Shoshi: Përpjekje për të delegjitimuar fjalën e lirë dhe për të frikësuar zërat kritikë

Komisioni për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, Ariana Musliu-Shoshi, i ka reaguar aspër kryeministrit Albin Kurti, i cili sot ka fyer mediat e Kosovës.

Ajo ka bërë me dije se kjo qasje e tillë është një përpjekje e rrezikshme për të delegjitimuar fjalën e lirë dhe për të frikësuar zërat kritikë në vend.

Në profilin e saj në Facebook, Musliu-Shoshi ka shkrua se ky është presion politik i maskuar si shqetësim etik.

“Deklarata e Albin Kurti për mediat nuk është asgjë më pak se një përpjekje e rrezikshme për të delegjitimuar fjalën e lirë dhe për të frikësuar zërat kritikë në vend. Kur Kryeministri flet për “thasë parash”, për “argatë të brendshëm” dhe për “ndikime të fshehta”, pa ofruar asnjë fakt konkret dhe pa ndjekur rrugë institucionale, ai nuk po mbron demokracinë por ai po ndërton një narrativë të rrezikshme kundër mediave. Kjo nuk është transparencë. Ky është presion politik i maskuar si shqetësim etik. Në një demokraci funksionale, akuzat për financime të paligjshme nuk bëhen nga podiumet politike për konsum publik, por adresohen në institucionet e drejtësisë. Çdo tjetër qasje është përpjekje për të diskredituar median dhe për të kontrolluar perceptimin publik”, ka shkruar ajo.

Sipas saj, kjo është gjuhë e papranueshme.

“Si Kryetare e Komisionit për Media, e konsideroj këtë gjuhë të papranueshme dhe potencialisht të dëmshme për klimën demokratike në vend. Mediat nuk mund të vendosen nën hijen e dyshimeve të përgjithësuara, sepse kjo krijon një ambient frike dhe autocensure. Po, transparenca është e domosdoshme. Po, pavarësia duhet të mbrohet. Por ajo nuk mbrohet duke hedhur akuza të paargumentuara ndaj të gjithëve. Ajo mbrohet duke forcuar institucionet, duke respektuar lirinë editoriale dhe duke mos përdorur pushtetin për të ndikuar narrativën publike. Demokracia nuk mbrohet duke sulmuar mediat. Demokracia mbrohet duke i lënë ato të lira edhe kur janë kritike ndaj pushtetit”, ka shkruara ajo.

Go to TOP