Tottenham shkarkon Igor Tudor-in pas rezultateve zhgënjyese

Klubi anglez Tottenham Hotspur dhe trajneri Igor Tudor kanë ndarë rrugët.

‘Spurs’ përmes një njoftimi, ka konfirmuar se ka ndërprerë bashkëpunimin me trajnerin Tudor.

Sipas njoftimit të klubit anglez, ndarja me teknikun kroat është bërë me marrëveshje të dyanshme, pas një periudhe të shkurtër në krye të skuadrës.

Tudor mori drejtimin e ekipit në një moment të vështirë, duke regjistruar katër humbje radhazi në kampionat në fillim të aventurës së tij. Më pas, ai arriti të sigurojë një barazim në udhëtim ndaj Liverpool më 15 mars, por rezultatet negative vijuan.

Humbja e rëndë 3-0 në shtëpi ndaj Nottingham Forest, një ekip që lufton për mbijetesë, rezultoi vendimtare për të ardhmen e tij në bankinë.

Bashkë me Tudor, nga klubi janë larguar edhe trajneri i portierëve Tomislav Rogic dhe përgatitësi fizik Riccardo Ragnacci.

“Konfirmojmë se është rënë dakord reciprokisht që trajneri Igor Tudor të largohet nga klubi me efekt të menjëhershëm. Falënderojmë Igor, Tomislav dhe Riccardo për përkushtimin gjatë këtyre gjashtë javëve, ku kanë punuar pa u lodhur. Gjithashtu, shprehim mbështetjen tonë për Igor dhe familjen e tij në këtë periudhë të vështirë personale”, thuhet në njoftimin e Tottenham.


Go to TOP