Rexhaj paralajmëron keqpërdorime në vlerësimin e mësimdhënësve: Kërkon ndërhyrje urgjente të MASHTI-t

Ish zëvendësministri dhe eksperti i arsimit, Xhavit Rexhaj, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me zbatimin e Udhëzimit të ri të Ministrisë së Arsimit për vlerësimin e performancës së mësimdhënësve.

Ai tha se miratimi i këtij udhëzimi ishte pritur si hap pozitiv, pasi synonte transferimin e kompetencave nga Inspektorati në nivel shkolle duke rritur efikasitetin, profesionalizmin dhe duke përshpejtuar procesin e licencimit të mësimdhënësve.

Megjithatë, sipas Rexhajt, vetëm gjatë dy javëve të fundit ai ka pranuar të paktën gjashtë ankesa nga mësimdhënës individualë dhe grupe, të cilët raportojnë për shkelje dhe keqpërdorime nga ana e disa drejtorëve të shkollave.

“Ankesat janë kryesisht anonime për shkak të frikës, ndërsa padrejtësitë përfshijnë shtyrjen apo moskryerjen e vlerësimit, mungesën e informatave kthyese, manipulime në proces dhe madje fshehje të dosjeve deri në 10 muaj,” ka theksuar ai.

Rexhaj ka propozuar që Ministria e Arsimit, përmes Inspektoratit Arsimor dhe Institutit Pedagogjik, të bëjë një vlerësim të dy viteve të para të zbatimit të udhëzimit dhe të ndërmarrë amendamente për të forcuar mekanizmat mbrojtës, procedurat e ankesave dhe llogaridhënien.

Po ashtu, ai ka kërkuar organizimin e programeve për trajnimin dhe informimin e drejtorëve të shkollave për zbatimin korrekt të këtij procesi.

“Edhe nëse vetëm pesë për qind e drejtorëve abuzojnë me këtë kompetencë, rrezikohet i gjithë procesi duke çuar rastet në inspektorat, prokurori dhe gjykata,” ka paralajmëruar Rexhaj.

Sipas tij, situata të tilla dëmtojnë sigurimin e cilësisë në arsim, performancën e mësimdhënësve, procesin e licencimit dhe marrëdhëniet brenda shkollave duke kërkuar ndërhyrje të shpejtë institucionale për të shmangur pasoja më të rënda. /Kosova.info/


Go to TOP