Gallapeni optimist: Më ndihmën e tifozëve mund ta mposhtim Turqinë

Reprezentuesi i Kombëtares së Kosovës, Dion Gallapeni, ka folur për ndeshjen me Turqinë.

Dardanët dhe turqit do të përballen të martën mbrëma në ‘Fadil Vokrri’ në sfidën që përcakton skuadrën e cila do të kualifikohet në Kupën e Botës 2026, e që këtë verë mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Gallapeni duke folur pas stërvitës së sotëm të Dardanëve, ka thënë se fitorja ndaj Sllovakisë ishte tejet e rëndësishme, edhe pse sipas, nuk ka qenë aspak sfidë e lehtë.

“Një ndeshje historike për ne pavarësisht se e kemi ditur se do të jetë e vështirë, mirëpo me ndihmën e tifozëve Dardanë gjithçka ishte e mundur dhe treguam një karakter shumë të fortë dhe dolëm fitimtar në atë ndeshje”, ka thënë Gallapeni.

Ai finalen me Turqinë e parashikon ndeshje të vështirë, por jo mision të pamundur. Gallapeni beson se edhe në këtë duel sikurse në ndeshjet e kaluara, tifozët ‘Dardanë’ do t’i japin përkrahje të fuqishme Kombëtares sonë.

“Normal se do të jetë ndeshje e vështirë duke marrë parasysh kualitetin që ka Turqia, mirëpo këtë e kemi vërtetuar edhe në ndeshjen e kaluara dhe pavarësisht cilësive të tyre ne jemi shumë të bashkuar si grup, luftojmë për njëri tjetrin dhe kjo ka shumë më rëndësi. Si në këtë ndeshje edhe në ndeshjet e kaluara, tifozët në kanë mbështetur fuqishëm dhe normalisht se pres të jenë në numër sa më të madhe dhe të dalim fitimtar në ndeshjen me Turqinë”, ka theksuar Gallapeni.

Ndeshja Kosova-Turqia nis në orën 20:45 dhe transmetohet drejtpërdrejt në RTK.

Go to TOP