Policia njofton për arrestime për armë, dhunë dhe aksidente në Kosovë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur ngjarjet kryesore kriminale dhe trafiku për 24 orët e fundit, duke përfshirë arrestime për armëmbajtje pa leje, dhunë në familje, aksidente trafiku dhe raste të substancave narkotike.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në Lipjan, një burrë ka raportuar se pas një mosmarrëveshjeje është kanosur nga i dyshuari. Njësiti policor ka konfiskuar një pushkë gjuetie, një rrethatore dhe 21 fishekë. “Me vendim të prokurorit, rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

Po në Lipjan, një tjetër person është arrestuar për mosrespektim të urdhrit të gjykatës ndaj viktimës mashkull kosovar. “Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, njofton Policia.

Në Podujevë, një i dyshuari mashkull kosovar është arrestuar pasi ka sulmuar fizikisht motrën e tij. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa “i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”.

Sipas Policisë, në Fushë Kosovë, një i dyshuar është arrestuar nën dyshimin se ka kryer disa vjedhje. “Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

Aksidente trafiku me lëndime trupore janë regjistruar në Prishtinë dhe Suharekë.

Në rrugën Arbnor e Astrit Dehari, drejtuesi ka goditur një këmbësor, i cili është dërguar për tretman mjekësor në QKUK. “I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje”, njofton Policia.

Kurse në Suharekë, një tjetër i dyshuari ka goditur dy këmbësore me veturën e tij. “Viktimat kanë pësuar lëndime të rënda trupore dhe janë dërguar në Spitalin e Prizrenit. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thekson Policia.

Në Vushtrri, një tragjedi ka ndodhur kur një fëmijë ka humbur jetën si pasojë e goditjes nga pakujdesia e prindit të tij. “Trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. Rasti është duke u hetuar,” thuhet në raport.

Në Ferizaj, një barnatore është përfshirë nga zjarri dhe të gjitha njësitë përkatëse kanë dalë në vendngjarje. “Lidhur me rastin është njoftuar prokurori. Rasti nën hetime”, thekson Policia.

Në Prizren, gjatë kontrollit të një personi mashkull kosovar janë gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri me 50 fishekë, 30.84 gramë narkotik kokainë, dy telefona, dy peshore digjitale dhe para të gatshme 3,415 euro. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Raporti përfshin gjithashtu raste të armëmbajtjes pa leje në Pejë dhe Gjakovë, si dhe dhunë në familje në Gjakovë dhe Malishevë, ku të gjithë të dyshuarit janë arrestuar dhe trajtohen sipas vendimit të prokurorit.

Go to TOP