Kapiti: Integrimi i Kosovës në BE, objektiv strategjik dhe i pakthyeshëm

Ambasadori i Kosovës në Londër, Ilir Kapiti, ka thënë se integrimi në Bashkimin Evropian është një objektiv strategjik dhe i pakthyeshëm.

Ambasada e Kosovës në Londër thotë se diplomati Kapiti ka marrë pjesë në një ngjarje, sipas tyre, të  rëndësishme për Ballkanin Perëndimor në Dublin, të organizuar nga Përfaqësia e Komisionit Evropian në Irlandë.

Sipas tyre, diskutimi atje u fokusua në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke përfshirë vendet kandidate dhe ato potenciale kandidate, si dhe në strategjinë e parë të pritshme të Irlandës për Ballkanin Perëndimor, në kuadër të faktit se Irlanda do të mbajë Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian.

“Gjatë diskutimit, Ambasadori Kapiti theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj reformave demokratike, forcimit të sundimit të ligjit dhe avancimit të agjendës evropiane, duke nënvizuar se integrimi në Bashkimin Evropian është një objektiv strategjik dhe i pakthyeshëm për vendin”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Kosovës në Londër të shpërndarë në rrjete sociale.

Kjo pjesëmarrje, sipas tyre, dëshmon përkushtimin e Kosovës për të qenë pjesë aktive e dialogut rajonal dhe evropian, si dhe për të avancuar rrugën drejt integrimit evropian. /Kosova.info/


Go to TOP