Fitore bindëse e Shqiponjës në derbi

Shqiponja e ka fituar bindshëm derbin e xhiros së 14-të të Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave.

Të shtunën mbrëma në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë, Shqiponja vendase e mposhti kampionin në fuqi, Istogun, me rezultatin 35:24.

Pas lojës së barabartë në 15 minutave e parë, lojtaret e Shqiponjës realizuan seri 6:0 për shkëputjen e parë prej 12:7. Pas pjesës së parë rezultati ishte 18:11.

Në pjesën e dytë epërsia e skuadrës gjakovare nuk është rrezikuar asnjëherë.

Ana Carolini Gonçalves ishte e pandalshme te Shqiponja me plot 14 gola. Gjashtë i shënoi Alma Nivokazi e pesë Juleidt Lourençao.

Tek Istogu më efikasja ishte Destinee Benie me nëntë gola. Joneide Olikaka i realizoi pesë.

Shqiponja është e dyta me 20 pikë nga 13 ndeshje. Tani ka tri pikë më shumë se Istogu, që renditet i treti me 17 pikë nga 12 ndeshje.

Fitoren e 12-të rresht të shtunën e shënoi Samadrexha. Kjo skuadër fitoi 51:19 në Ferizaj ndaj Kastriotit.

Arisa Basholli ishte më efikasja te Samadrexha me tetë gola. Shtatë i realizoi Ardiola Surdulli.

Elda Hoxha i shënoi pesë gola për Kastriotin, kurse katër i kishte Rejhane Murati.

Samadrexha është e para me 24 pikë.

Kastrioti është i fundit me 2 pikë. /Kosova.info/


Go to TOP