Milan fiton ndaj Torino dhe rikthehet në garën për titull
Milan është rikthyer në garën për titull në Serie A, duke u afruar në vetëm pesë pikë me liderin Inter.
Kjo pas fitores 3:2 ndaj Torino të shtunën në “San Siro”.
Ndeshja ka nisur më mirë për mysafirët, të cilët kanë krijuar raste të mira, përfshirë edhe një tentim të rrezikshëm të Ardian Ismajli, por portieri Mike Maignan ka reaguar si duhet.
Milan ka kaluar në epërsi në minutën e tridhjetë e gjashtë me një gol nga Strahinja Pavlovic nga distanca.
Torino ka reaguar shpejt dhe e ka barazuar para përfundimit të pjesës së parë me golin e Giovanni Simeone.
Në pjesën e dytë, skuadra e drejtuar nga Massimiliano Allegri është rikthyer më e fortë. Fillimisht Adrien Rabiot ka shënuar për 2:1 pas asistimit të Christian Pulisic, ndërsa më pas Youssouf Fofana e ka realizuar golin e tretë për Milan.
Torino nuk është dorëzuar dhe në minutat e fundit e ka ngushtuar rezultatin në 3:2 me penalltinë e realizuar nga Nikola Vlasic, por Milan ka arritur ta ruajë epërsinë deri në fund.
Me këtë fitore, Milan ngjitet në vendin e dytë dhe vazhdon ndjekjen e titullit, ndërsa Torino mbetet në mesin e tabelës, larg zonës së rënies.
