Shqiponja – Istogu, derbi i fundjavës

Shqiponja – Istogu është derbi i xhiros së 14-të të Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave.

Kjo ndeshje zhvillohet të shtunën në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë. Fillon në ora 19:30.

Përballen dy skuadra me pretendime për kreun e tabelës, e rrjedhimisht edhe për trofe.

Shqiponja e Gjakovës është e dyta në tabelë me 18 pikë nga 12 ndeshje. Istogu është në vendin e tretë me 17 pikë, por nga 11 ndeshje.

Skuadra e Shqiponjës do të mundohet të reagojë pas disfatës së pësuar javën e kaluar në Samadrexhë. Ndërkohë istogaset synojnë të dëshmojnë që janë në rrugë të mirë për ta mbrojtur titullin e kampionit.

Të shtunën është edhe ndeshja mes Kastriotit dhe Samadrexhës, që zhvillohet nga ora 14:00 në Ferizaj.

Të dielën janë dy takimet e tjera të xhiros së 14-të: Besa – Ferizaj (12:30) dhe Ulpiana – Tereza (14:00). /Kosova.info/

Go to TOP