Tahiri pas vizitës në Hagë: Thaçi i fortë dhe krenar, shpresë për takim të shpejtë në liri

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një vizitë në Hagë, ku ka takuar ish-presidentin Hashim Thaçi.

Tahiri ka theksuar se vizitat e tij ndër vite kanë qenë të shpeshta dhe të mbushura me emocione, që nga koha kur Thaçi dhe bashkëluftëtarët e tij ndodhen në paraburgim. Sipas tij, edhe në këtë takim të fundit, ish-presidenti është shfaqur i fortë dhe me një ndjenjë të thellë krenarie.

“Ai po e përballon këtë padrejtësi me krenari, që mban gjallë shpirtin e popullit të Kosovës”, ka deklaruar Tahiri duke shtuar se Thaçi dhe shokët e tij mbeten shtylla të rëndësishme mbi të cilat qëndron shteti dhe liria e Kosovës.

Deputeti i PDK-së ka shprehur shpresën që kjo të ketë qenë vizita e tij e fundit në Hagë dhe që së shpejti të takohen në liri në Kosovë. Ai gjithashtu ka përcjellë përshëndetjet e ish-presidentit Thaçi për qytetarët nga Haga. /Kosova.info/


Go to TOP