Aktivitete për Ditën Botërore të Shëndetit Oral në Prishtinë, fokus te ndërgjegjësimi dhe parandalimi
Në kuadër të shënimit të Dita Botërore e Shëndetit Oral, më 18 dhe 19 mars, në Qendra Klinike Stomatologjike Universitare e Kosovës janë zhvilluar aktivitete edukative, promovuese dhe ndërgjegjësuese për rëndësinë e shëndetit oral.
Ky organizim është realizuar nën udhëheqjen e drejtorit të Klinikës Universitare Stomatologjike të Kosovës, Mirsad Shkreta, me angazhimin e mjekëve specialistë të Qendra Klinike Universitare e Kosovës, specializantëve dhe studentëve të stomatologjisë.
Aktivitetet kanë përfshirë ligjërata edukative, këshillime për mirëmbajtjen e higjienës orale dhe iniciativa sensibilizuese për grupmosha të ndryshme. Vëmendje e veçantë u është kushtuar fëmijëve dhe grave shtatzëna, përmes vizitave edukative në institucione shëndetësore dhe arsimore.
Në kuadër të këtyre aktiviteteve, në Shkollën Fillore “Hasan Prishtina” në Prishtinë mori pjesë edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Gjithashtu, janë organizuar aktivitete simbolike si formimi i figurës së dhëmbit pranë ndërtesës së QKUK-së nga stafi dhe studentët, me moton “Dhëmbë të shëndoshë, gojë e shëndoshë, jetë e lumtur”. Përmes “Kornizës së buzëqeshjes” janë përcjellë mesazhe promovuese për kujdesin dhe parandalimin në shëndetin oral.
Qëllimi i këtyre aktiviteteve është rritja e ndërgjegjësimit për kujdesin e vazhdueshëm ndaj shëndetit oral, parandalimin e sëmundjeve të zgavrës së gojës dhe rëndësinë e kontrolleve të rregullta stomatologjike duke forcuar njëkohësisht rolin e institucioneve shëndetësore në promovimin e shëndetit publik në vend. /Kosova.info/
