A ISHTE SHPËRNDARJA E KUVENDIT NË PËRPUTHJE ME KUSHTETUTËN? NJË ANALIZË JURIDIKE

Procedura kushtetuese e zgjedhjes së Presidentit dhe kufijtë e shpërndarjes së Kuvendit

Nga: Dr. Agim A. Krasniqi

Në çdo demokraci parlamentare, momentet kur institucionet përballen me dilema kushtetuese janë provë serioze për pjekurinë e rendit juridik dhe institucional të shtetit. Situata e krijuar pas dështimit të procesit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës dhe shpërndarjes së Kuvendit ka hapur debat të rëndësishëm që nuk duhet parë vetëm si përplasje politike ndërmjet institucioneve, por para së gjithash si një çështje e interpretimit të drejtë të dispozitave kushtetuese.

Në qendër të këtij debati qëndron interpretimi i Nenit 86 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili rregullon procedurën e zgjedhjes së Presidentit dhe përcakton pasojat në rast të dështimit të kësaj procedure. Sipas këtij neni, Presidenti i Republikës së Kosovës zgjidhet nga Kuvendi me votim të fshehtë. Kushtetuta e ka ndërtuar këtë proces mbilogjikë graduale që synon të krijojë konsensus sa më të gjerë politik për zgjedhjen e kreut të shtetit.

Në dy raundet e para të votimit kërkohet shumica prej dy të tretave të votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Ky standard i lartë kushtetues është vendosur për të garantuar që Presidenti të jetë figurë e cila përfaqëson unitetin e shtetit dhe jo vetëm shumicën parlamentare të momentit. Nëse asnjë kandidat nuk arrin këtë shumicë në dy votimet e para, Kushtetuta parashikon zhvillimin e votimi të tretë ndërmjet dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të madh të votave në votimin e dytë. Në këtë raund kërkohet shumica e thjeshtë e votave të të gjithë deputetëve.

Vetëm në rast se edhe votimi i tretë përfundon pa zgjedhjen e Presidentit, paragrafi 6 i Nenit 86 parashikon pasojën e qartë institucionale: shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja parlamentare që duhet të mbahen brenda dyzet e pesë ditësh. Kjo dispozitë tregon se Kushtetuta e Kosovës e konsideron dështimin e plotë të procesit të votimit si tregues të bllokimit politik dhe institucional, për çka  kërkon rikthimin e mandatit tek qytetarët përmes zgjedhjeve të reja.

Nga leximi sistematik i Nenit 86 del qartë se, Kushtetuta e koncepton procedurën e zgjedhjes së Presidentit si proces të strukturuar në tri faza votimi. Vetëm pasi të jenë konsumuar këto tri faza, mund të konstatohet se Kuvendi ka dështuar në përmbushjen e kompetencës së tij kushtetuese për zgjedhjen e kreut të shtetit.

Në leximin strikt të Kushtetutës, shpërndarja e Kuvendit mund të konsiderohet e justifikuar vetëm pasi të jenë konsumuar plotësisht procedurat kushtetuese të përcaktuara për zgjedhjen e Presidentit.

Në këtë kuptim, shpërndarja e Kuvendit sipas paragrafit 6 të Nenit 86 është e lidhur drejtpërdrejt me një kusht procedural shumë të qartë: zhvillimin dhe dështimin e votimit të tretë. Nëse ky votim nuk është zhvilluar, atëherë lind pyetja nëse procedura kushtetuese mund të konsiderohet e përfunduar.

Kjo logjikë përforcohet edhe nga Neni 82 paragrafi 3 i Kushtetutës, i cili parashikon një mekanizëm tjetër për shpërndarjen e Kuvendit. Sipas kësaj dispozite, Kuvendi shpërndahet nëse brenda gjashtëdhjetë ditësh nga fillimi i procedurës së zgjedhjes së Presidentit nuk arrihet zgjedhja e tij. Ky afat kohor është vendosur për të shmangur situatat e bllokimit të zgjatur institucional dhe për t’i dhënë Kuvendit një periudhë të arsyeshme për të përfunduar procedurën e zgjedhjes.

Në këtë kontekst, dy elemente rezultojnë si esenciale për vlerësimin kushtetues të situatës aktuale: zhvillimi i votimit të tretë dhe kalimi i afatit gjashtëdhjetëditor nga fillimi i procedurës së zgjedhjes së Presidentit. Nëse asnjëri nga këto dy kushte nuk është përmbushur, atëherë lind pyetja nëse procedura kushtetuese mund të konsiderohet e konsumuar.

Jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës ofron gjithashtu një udhërrëfyes të rëndësishëm për interpretimin e këtyre dispozitave. Në rastin e vitit 2011, kur Gjykata Kushtetuese shqyrtoi procedurën e zgjedhjes së Presidentit, ajo theksoi se procedura për zgjedhjen e kreut të shtetit, duhet të respektojë në mënyrë rigoroze kërkesat kushtetuese dhe standardet procedurale të cilat garantojnë legjitimitetin e këtij procesi. Gjykata konstatoi se çdo devijim nga procedura e parashikuar nga Kushtetuta, cenon legjitimitetin kushtetues të këtij institucioni.

Edhe pse rasti i vitit 2011 kishte të bënte me mënyrën e zhvillimit të votimit dhe jo drejtpërdrejt me shpërndarjen e Kuvendit, parimi që rrjedh nga kjo jurisprudencë është i qartë: procedura kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit duhet të zbatohet në mënyrë strikte dhe nuk mund të interpretohet në mënyrë të lirshme apo pragmatike.

Analiza e kësaj çështjeje mund të mbështetet edhe në disa parime themelore të interpretimit kushtetues. Interpretimi tekstual kërkon që dispozitat kushtetuese të lexohen sipas kuptimit të tyre të drejtpërdrejtë, ndërsa interpretimi sistematik kërkon që këto dispozita të analizohen në lidhje me njëra-tjetrën dhe në kuadër të të gjithë sistemit kushtetues. Në këtë rast, Neni 86 dhe Neni 82 paragrafi 3 krijojnë dy mekanizma të ndryshëm për shpërndarjen e Kuvendit, por të dy këta mekanizma kërkojnë përmbushjen e disa kushteve të qarta procedurale.

Në doktrinën moderne të së drejtës kushtetuese, zbatohet gjithashtu parimi i proporcionalitetit institucional. Sipas këtij parimi, ndërhyrjet në funksionimin e institucioneve demokratike duhet të jenë masa të fundit dhe të ndërmerren vetëm pasi të jenë shteruar të gjithë mekanizmat kushtetues që synojnë zgjidhjen e situatës. Shpërndarja e parlamentit konsiderohet ndërë ndërhyrjet më drastike në sistemin parlamentar, pasi ajo ndërpret mandatin e përfaqësuesve të zgjedhur dhe e transferon vendimmarrjen përsëri tek elektorati.

Nëse procedura e votimit nuk ka arritur deri në raundin e tretë dhe nëse nuk ka kaluar afati prej gjashtëdhjetë ditësh nga fillimi i procedurës së zgjedhjes së Presidentit, atëherë mund të argumentohet se mekanizmat kushtetues nuk janë konsumuar ende plotësisht.

Në shtetet konstitucionaliste, interpretimi përfundimtar i dispozitave të Kushtetutës nuk i takon institucioneve politike, por Gjykatës Kushtetuese. Vetëm interpretimi autoritativ i kësaj gjykate, mund të përcaktojë në mënyrë përfundimtare nëse procedura kushtetuese e zgjedhjes së Presidentit është respektuar dhe nëse shpërndarja e Kuvendit është bërë brenda kufijve të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.


Go to TOP