Luis Enrique: Prioriteti është klubi, jo Botërori
Trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, ka theksuar se prioriteti i tij mbetet klubi, jo përgatitjet individuale për Botëror.
Kur kanë mbetur më pak se 100 ditë deri te Kupë e Botës 2026, sipas trajnerit spanjoll, fokusimi i lojtarëve duhet të jetë te objektivat e klubit, ndërsa për Botërorin do të mendohet më vonë.
“Pak pushim për të mbërritur i freskët në Kupën e Botës? Ne nuk bëjmë deklarata për këtë, ata janë profesionistë. Tani gjëja e rëndësishme është klubi, ne duam të arrijmë objektivat që i kemi vendosur vetes dhe të fitojmë trofe”, është shprehur ai.
Enrique ka folur edhe për performancën e sulmuesit të ri Bradley Barcola, i cili ishte aktivizuar si një “9 i fshehur” kundër Le Havre. Ai ka theksuar aftësitë e tij në driblime dhe vrapime të thella, por ka nënvizuar se para portës ai mund të jetë më efektiv.
Trajneri spanjoll ka hedhur poshtë krahasimet me Dembele.
“Nuk është e drejtë të krahasosh lojtarët, çdo vit dhe çdo lojtar është i ndryshëm. Barcola ka luajtur shumë, ai mund të mbulojë çdo pozicion në sulm dhe jam i kënaqur me atë që pamë, por presim edhe më mirë”, është shprehur Enrique.
