Prishtina dhe Drita ndajë pikët në ‘Fadil Vokrri’
Derbi i shumëpritur mes Prishtinës dhe Dritës, është mbyllur pa fitues, me rezultatin 1-1, të dielën në derbin e javës së 22-të të elitës së futbollit kosovar.
Të dy skuadrat, që synojnë titullin kampion, zhvilluan një ndeshje të hapur dhe me ritëm të lartë, duke krijuar disa raste të mira shënimi, por pa efikasitetin e duhur para portës.
Prishtina kaloi në epërsi në minutën e 43-të falë një supergoli të Mario Ilievskit, i cili realizoi nga rreth 40 metra distancë, duke e lënë të shtangur portierin Maloku.
Megjithatë, reagimi i Dritës erdhi shpejt në pjesën e dytë. Në minutën e 54-të, Blerim Krasniqi realizoi një gol të bukur për të barazuar shifrat në 1-1, duke rikthyer emocionet në sfidë.
Deri në fund, të dy ekipet patën mundësi për të siguruar tri pikët, por mungesa e konkretizimit bëri që ndeshja të mbyllej në barazim.
Pas këtij rezultati, Drita zbret në pozitën e dytë me 39 pikë, ndërsa Prishtina renditet e treta me 37 pikë në tabelën e Superligës.
