Dris Sejdiu, qitësi nga Kosova me rezultate impresive në Britaninë e Madhe

I përzgjedhur në programin zhvillimor të British Shooting dhe kampion në rajonin North West, Dris Sejdiu po shënon ngritje të vazhdueshme në arenën britanike të qitjes sportive.

14 vjeçari nga Kosova, ka arritur një sukses të rëndësishëm duke u kualifikuar në Finalen Kombëtare të British Shooting Schools Championships 2026, një nga garat më prestigjioze shkollore të qitjes sportive në Mbretërinë e Bashkuar.

Në këtë edicion morën pjesë rreth 220 garues në disiplinën e pistoletës dhe 160 në pushkë, ndërsa vetëm më të mirët nga mbi 1,000 pjesëmarrës në fazat rajonale siguruan një vend në finale.

Garat u zhvilluan në Chase Leisure Centre, në një poligon modern me 30 figura elektronike, duke krijuar kushte të standardit të lartë për konkurrencë.

Drisi garoi në disiplinën e pushkës ajrore 10m, ku pas një performance shumë të mirë në kualifikime u rendit i pesti, duke siguruar pjesëmarrjen në finale në një konkurrencë të fortë kombëtare.

Ai mban titullin kampion për rajonin North West dhe është gjithashtu kampion në klubin e tij, duke dëshmuar vazhdimësi në rezultate dhe përkushtim maksimal në sport.

Një tjetër arritje e rëndësishme në rrugëtimin e tij është përzgjedhja vitin e kaluar në programin Pathway Development nga British Shooting, program që identifikon dhe mbështet talentet më premtuese të qitjes sportive në Britani.

Suksesi i tij konfirmon potencialin për arritje edhe më të mëdha në të ardhmen dhe e vendos atë në mesin e talenteve të rinj më premtues në qitjen sportive britanike.

Go to TOP