Përkujtimi i 80-vjetorit të martirizimit të At Anton Harapi dhe promovimi i librit “Tragjiku i idealizmit shqiptar” të Prend Buzhala

Sot, në sallën e Famullisë Zoja e Këshillit të Mirë, Forumi i Intelektualëve Luigj Gurakuqi, në bashkëpunim me Famullinë “Zoja e Këshillit të Mirë” në Klinë, organizoi manifestimin përkujtimor me rastin e 80-vjetorit të martirizimit të At Anton Harapit, si dhe promovimin e veprës studimore “Tragjiku i idealizmit shqiptar – Fjala e shkruar e Anton Harapit (Vëllimi I)”, me autor studiuesin Prend Buzhala.

Veprimtaria u hap dhe u moderua nga Prof. Pal Canaj, kryetar i Forumit të Intelektualëve “Luigj Gurakuqi” në Klinë. Në fjalën e tij hyrëse, ai theksoi rëndësinë e këtij përvjetori si një akt kujtese historike, përgjegjësie qytetare dhe reflektimi kulturor. Ai nënvizoi figurën shumëdimensionale të At Anton Harapit – meshtar, mendimtar, pedagog dhe personalitet i shquar i kulturës shqiptare të shekullit XX – duke theksuar se martirizimi i tij mbetet një ngjarje me domethënie të thellë historike e shpirtërore.

Prof. Canaj falënderoi organizatorët, referuesit dhe të gjithë pjesëmarrësit për praninë dhe kontributin e tyre në këtë ngjarje përkujtimore.

I pari që mori fjalën ishte nikoqiri dhe famullitari, don Jeton Thaqi, i cili theksoi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe të vlerësimit të figurave që kanë lënë gjurmë të thella në jetën shpirtërore e kombëtare.

Në vijim të programit u mbajtën fjalë përshëndetëse dhe kumtesa nga:

Don Fran Sopi;

At Ndue Kajtazi;

Hajdin Morina;

Mikel Gojani;

Agim Desku;

Fazli Ferati;

Lekë Mrijaj.

Deklamimin e një teksti të shkëputur nga veprat e At Anton Harapit e realizoi Artisti i Popullit, Ismet Krasniqi, duke i dhënë aktivitetit një dimension të veçantë artistik dhe emocional.

Më pas, fjalën e mori Prof. Prend Buzhala, autor i librit, i cili foli për motivet e hartimit të veprës dhe për rëndësinë e një qasjeje të argumentuar shkencore ndaj figurës së At Anton Harapit, duke theksuar nevojën për një lexim të thelluar dhe të paanshëm të trashëgimisë së tij.

Në përmbyllje, Prof. Pal Canaj falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre, duke theksuar se figura e At Anton Harapit dhe studimi i thelluar i veprës së tij mbeten pjesë e rëndësishme e ndërgjegjes sonë kulturore dhe historike.

Aktiviteti u përmbyll me një koktel rasti, në frymën e bashkëbisedimit dhe respektit të ndërsjellë.

Lekë MRIJAJ


Go to TOP