Konjufca në takim me Hargreaves, kërkohet koordinim në politikën e jashtme

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, takoi ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

Sipas njoftimit të lëshuar nga MPJD, gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet bilaterale dhe thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, si dhe për zhvillimet aktuale gjeopolitike dhe rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Po ashtu thuhet se palët riafirmuan qëndrimet e përbashkëta në mbështetje të Ukrainës dhe kundërshtimin e agresionit rus, si dhe theksuan nevojën për koordinim të vazhdueshëm në fushën e politikës së jashtme dhe sigurisë.

“Në takimin njoftues pas formimit të qeverisë së re, ambasadori Hargreaves e uroi Zëvendëskryeministrin Konjufca për mandatin e ri dhe rikonfirmoi përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar për bashkëpunim të ngushtë me Republikën e Kosovës. Republika e Kosovës mbetet mirënjohëse për partneritetin e qëndrueshëm dhe mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar”, thuhet në njoftim. /Kosova.info/

Go to TOP