Gërvalla dënon gjuhën denigruese në Prokurori: Reformat në drejtësi nuk do të ndalen
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka reaguar pas publikimit në media të një audio-incizimi nga takimi i Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit me kryeprokurorët e prokurorive, i mbajtur më 20 janar 2026 duke e cilësuar situatën shqetësuese dhe pasqyrë të gjendjes në të cilën ende ndodhet sistemi prokurorial.
Sipas saj, reforma në sistemin prokurorial dhe në drejtësi në përgjithësi ka qenë dhe mbetet ndër prioritetet kryesore të Republika e Kosovës.
Gërvalla rikujtoi se më 5 qershor 2025 kanë hyrë në fuqi ndryshimet e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës duke shënuar fillimin e jetësimit të reformës në sistemin prokurorial.
Ajo theksoi se reformimi kishte nisur pikërisht për të eliminuar korporatizmin dhe grupacionet e ndryshme brenda sistemit, si dhe për të forcuar profesionalizmin, llogaridhënien dhe transparencën.
“Gjuha dhe diskutimet denigruese të krerëve dhe ish-krerëve të sistemit prokurorial, kundërshtimi dhe rezistenca e tyre e vazhdueshme ndaj reformave dhe mungesa e vullnetit për zbatimin e tyre, paraqesin rrezik serioz dhe cenojnë rëndë integritetin dhe funksionimin profesional të sistemit prokurorial”, thuhet në reagim.
Ministrja dënoi ashpër gjuhën e tillë duke e cilësuar në kundërshtim me etikën dhe standardet profesionale të prokurorit, ndërsa kërkoi zbatimin e plotë të reformave dhe ndryshimeve ligjore tashmë në fuqi.
Në fund, ajo theksoi se reformat në drejtësi janë dëshmi e vendosmërisë për ndërtimin e një shteti ku ligji nuk negocion, ku përgjegjësia nuk shmanget dhe ku drejtësia nuk njeh emër, pozitë apo ndikim. /Kosova.info/
