Fadil Aliu: Refuzimi i 21 amendamenteve të LDK-së, bllokim i zhvillimit të Kryeqytetit
Asambleisti i LDK-së në Prishtinë, Fadil Aliu, ka reaguar pas mosmiratimit të 21 amendamenteve të propozuara nga kjo parti për buxhetin, duke e cilësuar vendimin si bllokim të drejtpërdrejtë të projekteve zhvillimore në Prishtina, shkruan Kosova.info.
Sipas tij, me këtë vendim janë ndalur disa projekte që, siç tha, kanë rëndësi të veçantë për qytetarët. Ai përmendi ndërtimin e Unazës së Kryeqytetit, organizimin e mësimit tërëditor, Spitalin e Prishtinës, digjitalizimin e shëndetësisë dhe shkollave, si dhe projektet për Memorialin e Kosharës dhe Muzeun e Lubeniqit.
Aliu theksoi se refuzimi nuk ishte çështje teknike, por një vendim që, sipas tij, shkon kundër zhvillimit dhe perspektivës së qytetit.
“Në këtë mënyrë fëmijëve u mohohet shkolla moderne, pacientëve shërbimi dinjitoz, ndërsa Kryeqyteti lihet pa zgjidhje për problemet e përditshme. Beteja e Kosharës dhe Lubeniqi po lihen vetëm për vizita simbolike”, deklaroi ai.
Ai e quajti këtë qasje kryeneqësi politike për të penguar zhvillimin e Kryeqytetit, duke e përmbyllur reagimin me kritika të ashpra ndaj vendimmarrjes.
