Sadiku: Pushteti rrëzoi amendamentet për AI në arsim e shëndetësi, por beteja për të ardhmen sapo ka nisur
Deputeti i Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Ermal Sadiku, ka bërë të ditur se propozimet e tij për përfshirjen e Inteligjencës Artificiale (AI) në arsim dhe shëndetësi nuk kanë kaluar në komision, pasi janë votuar kundër nga shumica parlamentare.
“Kthehemi te asfalti ngjyrë hiri, tullat e kuqe dhe subvencionet e “ndihmat” 100 euro”, ka shkruar ai.
Sadiku theksoi se amendamentet e tij të para si deputet nuk kishin të bënin me paga, zyra apo komoditet politik, por me, siç u shpreh ai, “të ardhmen e Kosovës”.
“Sot dorëzova amendamentet e para si deputet. Jo për paga. As për zyra të reja e as për komoditet politik. Për të ardhmen,” deklaroi ai.
Sipas Sadikut, propozimi i tij përfshin tre shtylla kryesore që, sipas tij, do ta përcaktojnë zhvillimin e vendit në dekadat që vijnë.
Shtylla e parë ka të bëjë me integrimin e AI në arsim. Ai paralajmëroi se nëse fëmijët vazhdojnë të mësojnë me metoda të para 20 viteve, atëherë po përgatiten për një botë që nuk ekziston më. Propozimi përfshin krijimin e laboratorëve digjitalë, platforma mësimore me AI dhe trajnime për mësimdhënësit. “Kosova nuk duhet të ndjekë botën. Duhet ta kapë valën herët,” u shpreh ai.
Shtylla e dytë lidhet me themelimin e një Qendre Kombëtare Diagnostike me AI në shëndetësi. Sipas Sadikut, mijëra qytetarë presin me muaj për analiza, ndërsa teknologjia sot mund të lexojë imazhe mjekësore më shpejt dhe shpesh më saktë se sistemi aktual. Ai theksoi se një qendër e tillë do të nënkuptonte më pak pritje, më pak gabime dhe më shumë jetë të shpëtuara duke shtuar se “teknologjia nuk e zëvendëson mjekun, por e fuqizon atë”.
Shtylla e tretë përfshin digjitalizimin e arkivave për krimet e luftës, trashëgiminë kulturore dhe turizmin. Sipas tij, Kosova ka histori që duhet dokumentuar me saktësi dhe dinjitet, përmes arkivave të digjitalizuara për të vërtetën dhe drejtësinë, si dhe platformave moderne që promovojnë identitetin kulturor dhe potencialin turistik të vendit.
Sadiku pranoi se amendamentet nuk janë perfekte, por i cilësoi ato si një sinjal që në Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të flitet për të ardhmen dhe jo vetëm për pushtetin.
“Teknologjia nuk është luks – është infrastrukturë shtetformuese. Unë jam inxhinier dhe nuk kam hyrë në politikë për të menaxhuar stagnimin. Kam hyrë për të shtyrë Kosovën drejt një shteti digjital, të drejtë dhe konkurrues. Sot ishte hapi i parë,” përfundoi ai. /Kosova.info/
