Saim Tahiraj i drejtohet Presidentes Osmani: Nuk mund të luhet me dy karta për një grusht vota

Veprimtari i çështjes kombëtare, Saim Tahiraj, ka reaguar ashpër ndaj pjesëmarrjes së Presidentes së Kosovës në protestën e fundit duke ngritur pikëpyetje publike për qëndrimet dhe konsistencën e saj politike.

Përmes një reagimi publik, Tahiraj ka vënë në dyshim identitetin politik të Presidentes Vjosa Osmani duke e akuzuar për lëkundje të parimeve në funksion të interesave elektorale.

“Sa ulët po e lëshoni veten për një grusht vota duke dalë në protestë krah atyre që deri dje i drejtonit me gisht si të dyshuar për vrasjet politike në LDK”, ka shkruar Tahiraj.

Ai ka kërkuar nga Osmani të sqarojë publikisht qëndrimin e saj duke theksuar se nuk mund të paraqitet njëkohësisht si rugoviste dhe besnike e LDK-së, ndërkohë që, sipas tij, mbështet figura që dikur i kishte akuzuar rëndë.

“Nuk mund të luhet me dy karta duke përdorur secilën sipas interesit për pushtet. Parimet nuk ndërrohen sipas nevojës së momentit”, thekson Tahiraj në reagimin e tij.

Në fund, ai i ka bërë thirrje Presidentes që të tregojë sinqeritet politik ndaj qytetarëve që i kanë dhënë besimin duke shtuar se kjo është një përgjegjësi morale ndaj atyre që vazhdojnë ta mbështesin.

Reagimi i Tahirajt vjen në një kohë të tensionuar politike, ku zhvillimet e fundit kanë nxitur debate të shumta rreth qëndrimeve dhe aleancave në skenën politike të vendit. /Kosova.info/


Go to TOP