Forcohet bashkëpunimi në arsimin e lartë me Malajzinë dhe Singaporin
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), Naim Gashi, së bashku me dekani të Fakultetit të Studimeve Islame (FSI), prof. Islam Hasani, dhe drejtori i administratës në AKA, Besim Jonuzaj, kanë realizuar një vizitë zyrtare në Malajzi dhe Singapor, për të diskutuar bashkëpunimin në fushën e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë.
Gjatë vizitës në Malajzi, delegacioni u takua me Kryetarin e Agjencisë së Kualifikimeve të Malajzisë (MQA), Zaini Ujang, dhe u dakorduan për “arritjen e një marrëveshjeje për njohjen reciproke të akreditimeve, shkëmbimin e studentëve dhe ekspertëve të akreditimit”.
Gashi theksoi se “anëtarësimi i AKA-së në Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) si agjencia e vetme nga Ballkani Perëndimor dhe avancimi i procesit për njohjen nga CHEA në SHBA, bazohen në progresin e arritur në krijimin e mekanizmave për sigurimin e cilësisë”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, delegacioni vizitoi Universitetin për Teknologji në Malajzi dhe u prit nga drejtori i Qendrës CASIS, Mohamed Hilmi Ramli. Në lidhje me bashkëpunimin akademik, Gashi tha se “programi i përbashkët CASIS-FSI në nivelin e doktoratës tashmë ka grupin e parë të studentëve nga Kosova”, ndërsa Hasani theksoi se FSI po punon për t’i zhvilluar kuadrot e veta që “do t’i shërbejnë komunitetit islam në Kosovë dhe do të kontribuojnë në ruajtjen e vlerave tradicionale dhe luftimin e ndikimit të rrymave ekstremiste në shoqëri”.
Gjatë vizitës në Singapor, delegacioni zhvilloi takime me drejtues të institucioneve private të arsimit të lartë, duke u fokusuar tek “modelet e menaxhimit, standardet e cilësisë dhe ndërkombëtarizimi i programeve të studimit”.
Në përfundim, vizitat u cilësuan si “hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të Kosovës në arsimin e lartë, duke e pozicionuar AKA-në si një partner serioz në rrjetin global të agjencive të akreditimit dhe duke krijuar ura të reja bashkëpunimi akademik ndërmjet Evropës, Amerikës dhe Azisë”. /Kosova.info/
