‘Kur Heshtja Flet’, rikujtim për drejtësi për ish-krerët në Hagë
Një javë pas kërkesës së Prokurorisë së Dhomave të Specializuara në Hagë për 45-vjet burgim për secilin prej katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, profesori Ahmet Shala promovoi veprën “Kur Heshtja Flet”.
Shala tha se këtë vepër e nisi krejt natyrshëm dhe e cilësoi “nevojë të shpirtit”. Ai tha se nuk e shkroi me sy diplomatik, politik ose studiuesi por me syrin e njeriu të thjeshtë.
“Përmes këtij libri flasin ata që prehen në parajsë, heronjtë tanë; flasin ata që janë aty ku nuk do të mund të ishin; flasin ata që heshtja i ka rënduar më shumë se çdo fjalë. Heshtja jonë, pra. Këtë libër fillova ta shkruaj pas takimit një më një me katër udhëheqësit tanë në Hagë: Hashim Thaçi, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin”, tha Shala.
“I pashë jo si personalitete me funksione që kanë mbajtur, por si njerëz të zakonshëm, si bij, baballarë, bashkëluftëtarë, të atyre që prehen në Likoshan, Qirez, Gllogjan, Studime, Mej, Krushë, Izbicë e gjithandej në tokën e atdheut tonë. Kuptova diçka thelbësore: kuptova që historia e Kosovës nuk ndahet në kapituj sikurse në historitë e botuara”, vazhdoi më tej autori i veprës.
Osmani: UÇK zhvilloi luftë për mbijetesë e dinjitet, për të drejtën për të jetuar të lirë
Presidentja Vjosa Osmani gjatë promovimit të kësaj vepre tha se në Hagë po bëhet deformimi i historisë së shqiptarëve. Ajo shtoi se një histori e shkruar me gjak, asnjëherë nuk mund të fshihet e as të shtrembërohet, siç tha ajo, nga gënjeshtra të shkruara në letër.
“Autori i librit ka bërë një punë të çmuar duke ndërthurur reflektime personale, rrëfime të drejtëpërdrejta dhe analiza historike. Ai na sjell përballë të vërtetën e Hagës, takimet me ish-udhëheqësit e UÇK-së dhe vizitat në vendet simbolike të lirisë, duke kthyer heshtjen në zë të fuqishëm. Përmes këtij rrëfimi, na rikthen kujtesën kolektive të Kosovës dhe e ngre në nivel ndërkombëtar ndërgjegjen morale për lirinë, për drejtësinë dhe dinjitetin”, tha ajo.
Osmani tha se ky libër nënvizon se respektimi i drejtësisë ndërkombëtare dhe mbrojtja e së vërtetës historike nuk janë procese kundërshtuese, por plotësuese, sepse siç tha ajo, drejtësia e fiton kuptimin e plotë vetëm atëherë kur është e paanshme dhe ndërtuar mbi fakte të vërteta.
“Lufta çlirimtare e Kosovës duhet parë dhe vlerësuar brenda këtij konteksti historik. Ajo nuk ishte akt i impulsit por përgjigje ndaj një realiteti të padrejtë dhe një shtypjeje shekullore. Ishte një luftë për të mbrojtur të pambrojturit. Ishte një luftë për mbijetesë, për dinjitet dhe për të drejtën për të jetuar të lirë, të drejtën më sublime njerëzore. Mbrojtja e kësaj të vërtete është në shërbim të mbrojtjes në vetë themeleve të shtetit tonë, por edhe obligim i ynë ndaj rrugës së vështirë nëpër të cilën kemi kaluar deri të përmbushja e aspiratave sonë shoqërore për liri dhe shtet”, deklaroi Osmani.
Rama: Perëndimi s’po e kalon testin, po varros katër njerëz të pafajshëm për së gjalli
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se katërshja sot po gjykohet në Hagë, nuk u armatos për të ndërtuar një politikë shfarosjeje, por u armatosën kundër një politike shfarosëse.
Rama tha se sot bota perëndimore nuk po kalon testin dhe po merr përsipër, “varrosjen për së gjalli të katër njerëzve të pafajshëm”.
“Drejtësia ndërkombëtare, e financuar nga shtetet demokratike, që për turpin e tyre vazhdojnë ta ndjekin me indiferencën më të madhe këtë katastrofë për Evropën dhe për botën demokratike, përveçse për katër njerëz krejtësisht të pafajshëm, faktikisht bën që ne sot të ngremë një pikëpyetje për veten tonë, se çfarë mund dhe duhet të bëjmë. Nuk e kam përgjigjen për këtë, por jam i sigurt se duhet të bëjmë ende më shumë për këtë, sepse është një katastrofë për vetë drejtësinë ndërkombëtare, për vetë Evropën, për Perëndimin demokratik, të cilin Kosova e testoi dhe fatmirësisht Perëndimi, duke e njohur Kosovën tejkaloi testin e humanizmit të vet. Por nëse sot Perëndimi nuk e kalon këtë test dhe merr përsipër varrosjen për së gjalli të katër njerëzve të pafajshëm, faktikisht duke lënduar si s’ka më keq popullin dhe Republikën e Kosovës, atëherë ky mbetet problem shumë i madh”, tha ai.
Rama më tej tha se përderisa ish-krerët e UÇK-së vet e kanë votuar në Kuvendin e Kosovës themelimin e kësaj gjykate, “nuk duhet vendosur në bankën e të akuzuarve Kosovën”.
Në ceremoninë e promovimit morën pjesë edhe shumë figura tjera publike të cilat çmuan qëllimin e veprës, sidomos në kohën në të cilën doli në dritën e lexuesve.
