Dafina Demaku i bën thirrje Presidentes Osmani të reagojë për rastin e gazetares Edina Avdiu

Gazetarja Dafina Demaku ka reaguar lidhur me largimin nga puna të gazetares Edina Avdiu nga Radio Televizioni i Kosovës (RTK) duke i bërë thirrje publike Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, që të flasë për këtë rast.

Demaku ka theksuar se Osmani, e cila synon edhe një mandat të dytë presidencial, duhet të mbajë qëndrim për raste si ai i Avdiut.

“Presidentja në shumë konferenca është ankuar se edhe pyetjet që i shtroheshin ishin të formuluara për ta goditur një grua. Fol Presidente. Një kolege e jona është larguar në muajin e pestë të shtatzënisë nga puna”, ka shkruar Demaku.

Sipas saj, gazetarja është larguar nga puna “veç pse është grua dhe pse nuk pranon të thotë” pretendime që, sipas reagimeve publike, lidhen me raportime apo deklarime të caktuara politike duke përmendur edhe emrin e Dimal Basha.

Rasti i Edina Avdiut ka nxitur reagime të shumta nga gazetarë, organizata dhe përfaqësues politikë, të cilët kanë kërkuar sqarime nga menaxhmenti i RTK-së. Deri më tani, Presidentja Osmani nuk ka pasur një deklarim publik lidhur me këtë çështje. /Kosova.info/


Go to TOP