Brentford ndal Arsenalin, ngushtohet gara për titull

Arsenali ka humbur terren në garën për titullin kampion në Premier League, pasi u ndal në një barazim 1-1 ndaj Brentfordit në “Gtech Community Stadium”.

Skuadra e Mikel Artetës humbi mundësinë për ta rikthyer epërsinë prej gjashtë pikësh në krye të tabelës.

“Topçinjtë” u përballën me një Brentford në formë të mirë, që po synon zonën evropiane. Ndeshja nisi me ritëm të lartë dhe me vendasit më kërkues, teksa portieri David Raya u detyrua të korrigjojë një gabim të tij me një pritje të shkëlqyer ndaj Igor Thiago. Arsenali e mbylli pjesën e parë pa asnjë goditje në portë, në një 45-minutësh jo bindës për liderin e kampionatit.

Goli i avantazhit për londinezët erdhi pak pas një orë lojë. Piero Hincapie dërgoi një krosim të saktë nga e majta, ndërsa Noni Madueke u shkëput nga mbrojtja dhe realizoi me kokë për 0-1.

Megjithatë, reagimi i Brentfordit ishte i menjëhershëm. Fillimisht Keane Lewis-Potter shpërdoroi një rast të mirë, por dhjetë minuta më vonë ai barazoi rezultatin. Pas një rivënieje të gjatë anësore dhe devijimit nga Sepp van den Berg, Lewis-Potter shënoi me kokë në shtyllën e dytë për 1-1.

Në minutat e fundit, të dyja skuadrat kërkuan golin e fitores. Igor Thiago u ndal nga një ndërhyrje vendimtare e Cristhian Mosquerës, ndërsa edhe Gabriel Martinelli ishte pranë golit në anën tjetër. Megjithatë, rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund.

Me këtë barazim, Arsenali sheh t’i afrohet Manchester City, që tashmë është vetëm katër pikë larg kreut. Nga ana tjetër, Brentford vazhdon formën e mirë dhe mbetet në vendin e shtatë, dy pikë pas Liverpoolit, në garën për një vend në Evropë.


Go to TOP