Haxhiu: Seanca e jashtëzakonshme në ora 19:00
Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sonte në seancë të jashtëzakonshme plenare aty ku do të votohen edhe komisionet parlamentar. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu tha se Kuvendi do t’i ketë 16 komisione parlamentare, katër të përhershme e 12 funksionale. Haxhiu tha se Vetëvendosje do t’i kryesojë 9 komisione, PDK 3, LDK 2, Lista Serbe 1 komision e Grupi Multietnik 1 komision.
Ajo tha se po ashtu në seancën e sotme do të trajtohet kërkesa e Qeverisë për ndarjet buxhetore për muajin mars, pra 112 sipas Ligjit për Qeverinë.
Haxhiu, gjithashtu, ka folur për diskutimin që kanë pasur për rezolutën që tha se ndërlidhet me procesin e padrejtë që po zhvillohet në Hagë ndaj ish krerëve të UÇK-së.
“Sipas diskutimeve në Kryesinë e Kuvendit, ka vullnet nga Grupet Parlamentare që kjo rezolutë ta marr mbështetjen e Kuvendit të Kosovës. Do të ketë paraprakisht një takim të përfaqësuesve të Grupeve Parlamentare për ta diskutuar më tej rezolutën. Besoj që pavarësisht dallimeve që mund t’i kemi për çështje të ndryshme, kur bëhet fjalë për luftën e drejtë të UÇK-së e në raport me proceset e padrejta që po ndodhin në Hagë, duhet të jemi bashkë”, tha ajo.
Haxhiu foli edhe për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare që sot morën dritën jeshile në mbledhjen e parë të qeverisë së re.
“Qeveria ka miratuar marrëveshjet ndërkombëtare që sapo t’i kemi të proceduara në Kuvend ne do t’i trajtojmë. Sigurisht që Kuvendi ka procedura nëpër të cilat duhet të kalojë. Janë seancat e jashtëzakonshme apo seancat tjera të parapara me Rregulloren e Kuvendit. Por, ne jemi të vetëdijshëm që këto marrëveshje ndërkombëtare janë tejet të rëndësishme. Unë uroj që të këtë unifikim të të gjitha Grupeve Parlamentare në mbështetjen e tyre”, tha Haxhiu.
Ndërkohë, kur foli për buxhetin e Republikës, tha se do të trajtohet në përputhje me Rregulloren e Kuvendit.
“Sigurisht që edhe buxheti për vitin 2026 është shumë i rëndësishëm, dhe ai do të trajtohet në përputhje me Rregulloren e Kuvendit. Rregullorja e përcakton që duhet të kalojnë 48 orë, derisa ai të trajtohet, por jam shumë e bindur që do t’i adresojmë përgjegjësitë që i kemi, shumë shpejt”, deklaroi Haxhiu pas mbledhjes së parë të Kryesisë që e mblodhi si kryetare e Kuvendit.
