17 vjet pa vendim përfundimtar: Dyshime për tjetërsim pronash milionëshe në një proces që zvarritet në gjykata

Në shtetin ku ligji duhet të garantojë barazinë para institucioneve, qytetarët presin që kontestet e tyre të zgjidhen brenda afatit të arsyeshëm dhe mbi bazën e fakteve dhe procedurave ligjore. Megjithatë, në praktikë, mungesa e efikasitetit të organeve ligjzbatuese, zvarritja e proceseve gjyqësore dhe mosveprimi institucional, shpesh i vendosin qytetarët në pozitë të pafavorshme për realizimin e të drejtave të tyre.

Në raste të caktuara, sipas vlerësimeve të ekspertëve të drejtësisë dhe organizatave të shoqërisë civile, kjo situatë krijon hapësirë që palë të caktuara, të mbështetura nga ndikime informale apo lidhje brenda institucioneve, të përfitojnë nga zvarritja e proceseve ose nga mungesa e vendimmarrjes përfundimtare. Këto rrethana jo vetëm që cenojnë besimin e qytetarëve në drejtësi, por e kthejnë procesin ligjor në barrë të gjatë dhe të pasigurt për palët që kërkojnë mbrojtje të ligjshme të pronës dhe interesave të tyre. Në këtë kontekst, rasti i mëposhtëm paraqet shembullin konkret të një kontesti që ka mbetur pa zgjidhje për më shumë se një dekadë, duke ngritur pyetje për funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe përgjegjësinë institucionale.

Një kontest pronësor dhe korporativ, që përfshin prona me vlerë të vlerësuar mbi 5 milionë euro, po zvarritet në sistemin e drejtësisë së Kosovës prej vitit 2009 pa një vendim përfundimtar. Rasti ka kaluar në disa instanca gjyqësore, është rikthyer disa herë në rigjykim dhe aktualisht vazhdon të mbetet i hapur, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë juridike, mbrojtjen e aksionarëve me pjesëmarrje më të vogël në kapital dhe efikasitetin e drejtësisë komerciale. Sipas dokumenteve gjyqësore dhe pretendimeve të palës paditëse, kontesti lidhet me transferimin e pronës së paluajtshme dhe ndryshimet në strukturën menaxheriale të kompanisë Ogechi LLC, veprime këto që janë objekt shqyrtimi në Gjykatën Komerciale të Prishtinës.

Kompania dhe struktura aksionare

Ogechi LLC është themeluar në vitin 2007 dhe për disa vite ka ushtruar aktivitet të suksesshëm në tregtinë e pijeve freskuese në Kosovë. Në periudhën relevante, kompania kishte katër aksionarë, me pjesëmarrje të ndryshme në kapitalin aksionar.Sipas dokumentacionit financiar dhe korporativ, gjatë vitit 2008 fitimet e realizuara nga aktiviteti tregtar, janë investuar në blerjen e dy parcelave me sipërfaqe totale rreth 120 ari përgjatë autostradës Prishtinë–QMI, në zonën e Llapna Sellës. Në këto parcela është ndërtuar një objekt afarist dhe depo me sipërfaqe rreth 4,600 metra katrorë.

Objekti, sipas kontratës së qirasë, është dhënë me qira në korrik të vitit 2009 dhe ka gjeneruar të ardhura mujore të konsiderueshme për kompaninë.

Themelimi i një kompanie tjetër dhe ndryshimet në menaxhim

Sipas padisë, në qershor të vitit 2009, tre nga aksionarët kanë themeluar një kompani tjetër me emër të ngjashëm, OgechiTrade Shpk, pa dijeninë e aksionarit të katërt, i cili në këtë proces paraqitet si palë e dëmtuar.

Po sipas pretendimeve të tij, në të njëjtën periudhë është mbajtur një mbledhje e aksionarëve të Ogechi LLC pa praninë e tij, ku janë marrë vendime për ndryshime në menaxhmentin e kompanisë. Ligjshmëria e këtyre vendimeve dhe mënyra e regjistrimit të tyre në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK) janë pjesë e kontestit gjyqësor.

Transferimi i pronës dhe regjistrimet kadastrale

Një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjes lidhet me transferimin e pronës së paluajtshme, parcelat dhe objekti afarist nga Ogechi LLC në Ogechi Trade Shpk. Sipas padisë, ky transferim është kryer brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore dhe, sipas pretendimeve të paditësit, pa pasqyrimin e plotë të gjendjes reale të pronës, përfshirë ekzistencën e objektit afarist dhe kontratat ekzistuese të qirasë.

Pas transferimit, prona është regjistruar në kadastër dhe, me ndryshimet e mëvonshme territoriale, është bartur në kompetencën e një komune tjetër. Të gjitha këto veprime janë objekt shqyrtimi në procedurat aktuale gjyqësore.

Procesi gjyqësor që zgjat 17 vjet

Rasti ka kaluar nëpër disa faza dhe institucione:

• ish-Gjykata Komunale e Prishtinës

• Prokuroria Themelore

• Gjykata Themelore

• Gjykata Komerciale, në të dyja shkallët

Sipas dokumenteve gjyqësore, në vitin 2022 është marrë një vendim në shkallë të parë në favor të paditësit, i cili është ankimuar nga pala tjetër, duke bërë që lënda të kthehet në rigjykim. Aktualisht, pas disa rikthimeve procedurale, çështja vazhdon të mbetet pa epilog përfundimtar.

Kërkesat e palës paditëse

Paditësi kërkon:

• rikthimin e pronës së kontestuar ose

• kompensim financiar për dëmin e shkaktuar, përfshirë fitimet e humbura gjatë viteve të zvarritjes së procedurës.

Sipas paditësit, rasti ngre dyshime serioze se tjetërsimi i pronës është bërë përmes një serie procedurash administrative dhe vendimmarrëse publike, të cilat, sipas tij, nuk kanë reflektuar realitetin faktik dhe juridik të pronës. Këto dyshime janë përfshirë në dosjen gjyqësore dhe kanë qenë pjesë e arsyetimit mbi bazën e të cilit paditësi ka fituar çështjen në shkallën e parë, përpara se vendimi të ankimohej dhe lënda të kthehej në rigjykim.

Ai ka deklaruar se për këtë rast ka informuar institucione të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare dhe se do të vazhdojë ndjekjen e çështjes përmes të gjitha mjeteve ligjore në dispozicion.

Qëndrimi i palëve dhe institucioneve

Redaksia ka tentuar të kontaktojë palët tjera të përfshira për të marrë qëndrimin e tyre lidhur me pretendimet e paraqitura në këtë artikull. Deri në momentin e publikimit, nuk është marrë asnjë përgjigje zyrtare. Artikulli do të përditësohet në rast të ndonjë reagimi apo sqarimi nga palët ose institucionet përkatëse.

Ky rast ngre pyetje të rëndësishme për funksionimin e drejtësisë komerciale, mbrojtjen e të drejtës së pronës dhe sigurinë juridike për investimet dhe aksionarët në Kosovë. Zvarritja shumëvjeçare e procedurave pa një vendim përfundimtar mbetet ndër aspektet më problematike të këtij kontesti.

Sipas njohësve të sistemit gjyqësor, raste të tilla, kur procedurat zgjasin me vite pa një vendim përfundimtar, krijojnë perceptimin se drejtësia nuk funksionon njësoj për të gjithë dhe se zvarritja procedurale, në vetvete, shndërrohet në një formë të padrejtësisë, duke ushqyer dyshime publike për ndikime të mundshme në proces.

Shënim: Artikulli bazohet në dokumente gjyqësore dhe pretendimet e palës paditëse. Çështja është në procedurë dhe nuk ka vendim të formës së prerë.

Go to TOP