PDK kërkon që ora e parë mësimore më 16 Shkurt t’i kushtohet UÇK-së në shkollat e Prishtinës

Asambleistët e Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë i janë drejtuar me kërkesë kryetarit të komunës, Përparim Rama, që në të gjitha shkollat e kryeqytetit ora e parë mësimore e datës 16 Shkurt t’i kushtohet rolit dhe sakrificës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shkruan Kosova.info.

Kërkesa është bërë publike nga asambleisti Leutrim Retkoceri, i cili ka rikujtuar se një praktikë e tillë ishte zbatuar edhe gjatë kohës së qeverisjes së PDK-së në Prishtinë, kur përmes Drejtorisë së Arsimit organizoheshin ligjërata me ish-ushtarë dhe invalidë të UÇK-së për nxënësit.

Sipas tij, historia duhet të përcillet drejtpërdrejt te brezat e rinj, sidomos në prag të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, duke e cilësuar këtë si detyrë institucionale dhe morale për të njohur sakrificën mbi të cilën është ndërtuar shteti.

Retkoceri theksoi se kjo kërkesë vjen edhe në prag të marshit “Drejtësi, jo Politikë”, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Ai përfundoi duke theksuar se historia nuk mund të zhbëhet dhe se liria e Kosovës ka në themel sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës./Kosova.info/

Go to TOP