Ngavci: Rishikimi i kurrikulave, hap i domosdoshëm për cilësinë në arsim

Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Ngavci, ka theksuar se rishikimi i kurrikulave nuk është një proces formal apo thjesht teknik, por një ndërhyrje e domosdoshme për përmirësimin e cilësisë së arsimit në vend.

Në një postim në Facebook, Nagavci ka shkruar se ky proces synon të adresojë përsëritjet e panevojshme, mungesën e koherencës dhe shkëputjen nga kurrikulat bërthamë dhe konceptet kyçe të të nxënit.

“Zhvilluam takim me grupin koordinues për rishikimin e kurrikulave lëndore/programeve mësimore për arsimin fillor dhe arsimin e mesëm të ulët, grup i cili është formuar për të udhëhequr dhe mbikëqyrur procesin e rishikimit të kurrikulave dhe programeve mësimore”, ka shkruar Nagavci.

Ajo ka shtuar se procesi do të përmbyllet me një raport gjithëpërfshirës me gjetje dhe rekomandime konkrete deri në fund të muajit prill, për të garantuar transparencë, llogaridhënie dhe vendimmarrje të bazuar në evidencë në kuadër të reformës kurrikulare.

Në fund, Ngavci ka ritheksuar përkushtimin për ndërtimin e një sistemi arsimor funksional dhe bashkëkohor, i cili u përgjigjet nevojave reale të nxënësve dhe mësimdhënësve dhe mbështet zhvillimin afatgjatë të vendit. /Kosova.info/

Go to TOP