KMShK rrëzon ankesën e Zenun Elezajt ndaj Kosova.info për shkrimin mbi ndërtimin e xhamisë në zonë arkeologjike
Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) ka refuzuar ankesën e kryetarit të Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, të parashtruar përmes zyrës ligjore Kerveshi@Partners, kundër portalit Kosova.info, lidhur me publikimin e opinionit me titull “Mashtrimi politik i Zenun Elezajt me ‘lejen e xhamisë’ në zonën arkeologjike”.
Vendimi është marrë në mbledhjen e KMShK-së të mbajtur më 29 janar 2026, ku Këshilli ka konstatuar se ankesa është e pabazuar dhe se media nuk ka shkelur asnjë kapitull të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës.
Sipas arsyetimit të KMShK-së, opinioni i publikuar nga Kosova.info është i bazuar në prova, dokumente dhe në kontekstin ekzistues në terren, duke përmbushur standardet profesionale të raportimit.
Këshilli thekson se, sipas Kodit Etik, opinioni përmban mendime dhe gjykime vlerësuese, dhe si i tillë përbën kontribut legjitim në debatin publik, veçanërisht kur bëhet fjalë për një bartës të funksionit publik, siç është kryetari i Komunës së Klinës.
KMShK ka konstatuar se nuk është shkelur Kapitulli II – Raportimi i së vërtetës, pasi shkrimi nuk cenon figurën e palës ankuese dhe mbështetet në fakte të verifikueshme.
Sa i përket pretendimeve për nxitje të urrejtjes, KMShK ka vlerësuar se opinioni është në favor të debatit publik dhe transparencës, duke mos nxitur ndasi apo gjuhë të urrejtjes. Për pasojë, sipas vendimit, është respektuar edhe Kapitulli III i Kodit Etik.
“Opinioni ndikon që të mos shkaktohet nxitja e urrejtjes dhe respekton standardet etike të mediave të shkruara”, thuhet në vendimin e KMShK-së.
Shkrimi për të cilin u parashtrua ankesa trajtonte vendimin e kryetarit Zenun Elezaj për dhënien e lejes për ndërtimin e një xhamie të madhe në një zonë me ndjeshmëri arkeologjike dhe kulturore, ku janë evidentuar gjurmë të trashëgimisë ilire dhe të krishterë, si dhe në një komunitet me shumicë banorësh katolikë.
Në opinion ngriheshin shqetësime për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, transparencën institucionale dhe ndikimin në harmoninë ndërfetare, çështje që, sipas KMShK-së, janë pjesë legjitime e debatit publik.
Drejtori i portalit Kosova.info, Emanuel Demaj, ka përshëndetur vendimin e KMShK-së, duke e cilësuar atë si të drejtë dhe profesional.
“Falënderojmë Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës për qasjen korrekte, profesionale dhe për vendimin e drejtë. Ky vendim dëshmon se Kosova.info ka vepruar në përputhje të plotë me Kodin Etik dhe se opinioni i publikuar ishte në shërbim të interesit publik, transparencës dhe debatit demokratik,” ka deklaruar Demaj.
Ai theksoi se Kosova.info do të vazhdojë të raportojë pa presion dhe me përgjegjësi, sidomos për çështje që prekin trashëgiminë kulturore, interesin publik dhe llogaridhënien e pushtetit lokal.
Me këtë vendim, KMShK konfirmon se ankesa e Zenun Elezajt nuk miratohet, duke i dhënë fund procedurës dhe duke riafirmuar rolin e mediave në trajtimin kritik të çështjeve me interes publik.
