Tërmkolli: Akti i djeshëm i KQZ-së, pra i VV-së, PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, është akt patriotik për Serbinë
Ish-deputetja Melihate Tërmkolli ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos votuar certifikimin e rezultateve zgjedhore për “Listën Serbe” duke e cilësuar këtë veprim si një akt të rëndë që dëmton drejtpërdrejt interesat dhe sigurinë e Kosovës.
Sipas Tërmkollit, ky vendim nuk është kundër “Listës Serbe” apo Serbisë, por përkundrazi, është në dëm të shtetit të Kosovës. Ajo thekson se, së pari, kjo listë është lejuar dhe pranuar zyrtarisht të marrë pjesë në zgjedhje. Së dyti, zgjedhjet në Kosovë, përfshirë edhe ato ku ka garuar “Lista Serbe”, janë mbajtur në përputhje me ligjet e Kosovës dhe jo të Serbisë. Së treti, ajo vlerëson se certifikimi i rezultateve zgjedhore nuk mund dhe nuk duhet të bëhet mbi baza etnike.
Tërmkolli akuzon Lëvizjen Vetëvendosje, me miratimin edhe të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, se me këto veprime po përshpejtojnë ndarjen e Kosovës, respektivisht federalizimin e saj, sipas saj në frymën e “Aneksit të Ohrit”, të cilin e konsideron të pranuar dhe miratuar nga kryeministri Albin Kurti.
“Akti i djeshëm i KQZ-së, pra i VV-së, PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, është akt patriotik për Serbinë. Për shqiptarët dhe për Kosovën, jo”, ka deklaruar ajo.
Në përfundim, Tërmkolli shpreh shqetësimin e saj për, siç thotë, degradimin e mendësisë shtetërore duke paralajmëruar se Kosova po rrezikon të shndërrohet çdo ditë e më shumë në një “shtet palaço”. /Kosova.info/
