Pacolli betohet: Faktet e pabesisë do t’i çoj deri në fund në gjykata dhe në libër

Biznesmeni dhe filantropi Behgjet Pacolli ka reaguar ashpër ndaj asaj që e cilëson si një nga përvojat më të rënda personale dhe profesionale të jetës së tij duke akuzuar një ish-bashkëpunëtor të afërt për pabesi të rëndë, mashtrime dhe veprime kriminale të vazhdueshme.

Pacolli shprehet se momenti më i shëmtuar për njeriun është përballja me faktet e pabesisë nga dikush të cilit i kishte besuar pa masë për më shumë se 20 vjet. Sipas tij, faktet që po dalin çdo ditë tregojnë se kjo pabesi nuk është kufizuar vetëm në mashtrime apo falsifikim dokumentesh, por ka përfshirë edhe tentativa për poshtërim, vjedhje, përbuzje të sofrës, gënjeshtra, intriga, si dhe përfshirjen e bashkëpunëtorëve të tjerë në këto akte kriminale.

Ai thekson se këto veprime nuk kanë ndalur me kaq, pasi personi në fjalë duke mos pasur guxim të përballet me veprimet e tij, ka tentuar të rrënojë gjithçka që Pacolli ka ndërtuar ndër vite: reputacionin, respektin ndaj njerëzve, moralin dhe pronën.

Pacolli njofton se faktet e këtyre pabesive, të ndërtuara me vite me radhë, do t’i publikojë një nga një sapo të fillojë trajtimi i tyre në gjykatat penale dhe civile në Kosovë, Shqipëri, Emirate të Bashkuara Arabe dhe Libi – vende ku, sipas tij, janë konsumuar këto vepra.

Për më tepër, ai zbulon se ka nisur përmbledhjen e të gjitha fakteve edhe në një libër, i cili pritet të promovohet gjerësisht.

Sipas Pacollit, ky angazhim ka dy qëllime kryesore: së pari, të rrisë vetëdijen se pabesia është një akt i shëmtuar që nuk mund të mbetet pa pasoja; dhe së dyti, të shërbejë si mësim për të tjerët, se edhe pse besimi te njerëzit dhe bashkëpunëtorët është i natyrshëm, kontrolli mbetet i domosdoshëm. /Kosova.info/

Go to TOP