Qeveria – “Nuk kemi njoftim zyrtar”: Gënjeshtra që po justifikon mosveprimin në MASHTI

Nga aktakuza te KEPTSH-i, si u ndërtua alibia institucionale për të mos vepruar

Komunikatat e fundit të Qeverisë së Kosovës dhe të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, të publikuara pas raportimeve për aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj disa zyrtarëve të MASHTI-t, nuk paraqesin transparencë institucionale, por dëshmojnë përpjekjen e qëllimshme për ta relativizuar një skandal serioz, përmes formalizmit juridik. Frazat e përsëritura se “nuk kemi pranuar njoftim zyrtar”, se “respektojmë parimin e pafajësisë” dhe se “mirëpresim punën e institucioneve të drejtësisë” nuk janë më deklarata neutrale, por janë shndërruar në instrument politik për të justifikuar mosveprimin dhe për të mbrojtur status quo-në.

Problemi bazë është se, këto deklarata bien drejtpërdrejt ndesh me faktet publike. Vetë Qeveria dhe MASHTI pranojnë se janë informuar përmes mediave për ekzistencën e aktakuzës, por pretendojnë se nuk kanë marrë “njoftim zyrtar”. Ndërkohë, vetëm disa ditë më parë, gjatë kësaj jave, portali Insajderi ka publikuar se disa nga këta zyrtarë janë thirrur dhe intervistuar nga Prokuroria Speciale. Ky fakt publik e rrëzon narrativën zyrtare të “mungesës së dijenisë institucionale” dhe e ekspozon atë si të pavërtetë.

Në momentin kur një media raporton se zyrtarë të një ministrie janë thirrur nga Prokuroria Speciale dhe kjo informatë qarkullon gjerësisht në publik, pretendimi se institucioni “nuk ka asnjë informacion zyrtar” nuk është më thjesht shmangie burokratike. Është mohim i qëllimshëm i një fakti të njohur, pra gënjeshtër politike e ndërtuar për të fituar kohë dhe për të shmangur përgjegjësinë administrative.

Askush nuk po kërkon dënim penal pa vendim gjykate, por këtu nuk flitet për dënim penal. Flitet për parime elementare të administratës publike. Pezullimi apo kufizimi i përkohshëm i kompetencave nuk është dënim, por masë standarde për mbrojtjen e institucionit, të procesit gjyqësor dhe të besimit publik. Kur një institucion e di, qoftë edhe përmes burimeve publike se, zyrtarë të tij janë subjekt i procedurave penale, ai ka obligim minimal të reagojë administrativisht. Mosveprimi në këto rrethana nuk është neutralitet institucional, porzgjedhje politike për të mos vepruar.

Deklarimet e MASHTI-t për transparencë dhe llogaridhënie bien plotësisht në ujë kur krahasohen me këtë realitet. Nuk ka asnjë sqarim nëse është bërë ndonjë vlerësim i brendshëm administrativ, nëse është diskutuar pezullimi apo kufizimi i kompetencave të zyrtarëve të përfshirë, apo nëse ekziston ndonjë plan për menaxhimin e rrezikut institucional dhe reputacional. Përkundrazi, ndërkohë që mohohet përgjegjësia për krizën e integritetit, ministria shfaq një aktivizëm të dyshimtë në marrjen e vendimeve me ndikim afatgjatë në sistemin arsimor.

Në kohën kur Qeveria vepron në kapacitet kujdestar, MASHTI ka krijuar Këshillin e Ekspertëve për Programe dhe Tekste Shkollore (KEPTSH), një organ që prek drejtpërdrejt programet mësimore, tekstet shkollore, listat e lektyrave dhe përmbajtjet pedagogjike. Këto nuk janë veprime teknike të përditshme, por ndërhyrje strukturore në cilësinë e arsimit, të marra pa mandat të plotë politik dhe në një klimë të rënduar nga dyshime serioze për keqpërdorime dhe abuzime me detyrën nga vetë ministrja.

Situata bëhet edhe më alarmante kur analizohet përbërja e KEPTSH-it. Për kryesuesen e këshillit, Anita Kadriu, nuk rezulton asnjë ditë përvojë pune në arsim, në mësimdhënie, në menaxhim arsimor apo në zhvillim kurrikule. Për Leunora Krasniqin, përvoja e njohur kufizohet kryesisht në disa angazhime administrative me kontrata mbi vepër, pa ndonjë përvojë substanciale në sistemin arsimor. Edhe Driana Sogojeva nuk ka përvojë të dokumentuar në arsim, ndërkohë që lidhja e saj familjare me drejtoreshën e Agjencisë së Arsimit dhe Aftësimit Profesional ngre dyshime serioze për konflikt të mundshëm interesi. Edhe nëse ligjërisht këto raste nuk përbëjnë shkelje automatike, në standardet e qeverisjes së mirë perceptimi i nepotizmit dhe mungesës së ekspertizës është vetë dëm institucional.

Në këtë kontekst, pretendimi se KEPTSH përbën “hap të rëndësishëm drejt sigurimit të cilësisë” nuk është reformë, por retorikë boshe. Cilësia nuk ndërtohet me këshilla formale dhe emërime të dyshimta, por me ekspertizë reale, integritet institucional dhe mandat të qartë politik.

Përgjegjësia politike për këtë gjendje nuk mund të fshihet pas komunikatave. Ajo bie drejtpërdrejt mbi ministren në detyrë të Arsimit, Arbërie Nagavci. Sipas informacioneve që vijnë nga brenda ministrisë dhe perceptimit të gjerë publik, MASHTI nuk ka qenë kurrë më keq i qeverisur sesa në këtë mandat, i karakterizuar nga keqpërdorime, abuzime me detyrën, improvizim, mungesë vizioni, komisione pa ekspertizë reale dhe heshtje përballë krizave të rënda të integritetit.

Çështja nuk është nëse ka ardhur apo jo një shkresë formale në zyrat e ministrisë. Pyetja reale është shumë më e rëndë: si ka mundësi që një institucion të pretendojë se “nuk di asgjë”, ndërkohë që faktet publike dëshmojnë të kundërtën? Kur realiteti publik dhe mediatik bie ndesh me deklaratat zyrtare, atëherë nuk kemi më të bëjmë me keqkuptim, por me ndërtim të qëllimshëm të një narrative të pavërtetë për të justifikuar mosveprimin.

Derisa kjo narrativë të vazhdojë, qytetarët kanë të drejtë të konkludojnë se shteti nuk po e mbron interesin publik dhe arsimin, por po e përdor gënjeshtrën, formalizmin dhe mohimin si instrument qeverisjeje. /Kosova.info/

Go to TOP