Tahiri: Vota për kryetarin u dha nga dashnia për LDK-në, jo nga emocioni apo frika
Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhafer Tahiri, ka deklaruar se vota e dhënë sot në Kuvendin e LDK-së për konfirmimin e kryetarit nuk ka qenë rezultat i emocioneve, frikës apo inatit, por një vendim i ndërgjegjshëm dhe i bazuar në dashurinë për partinë.
Tahiri ka theksuar se mbështetja është dhënë pa kushte duke vlerësuar se në këtë fazë LDK-së i nevojitej stabilitet dhe jo një përçarje e re e brendshme.
“Nuk e dhamë votën nga emocioni, as nga frika e as nga inati, por nga dashnia për LDK. E dhamë këtë mbështetje pa kushte sepse LDK-së i duhej stabilitet, jo një përçarje e re”, ka deklaruar Tahiri.
Sipas tij, me përfundimin e Kuvendit dhe konfirmimin e kryetarit, përgjegjësia e udhëheqjes së partisë tashmë është e dyfishtë: ndërtimi i një uniteti real brenda strukturave të LDK-së dhe rikthimi i besimit të qytetarëve ndaj saj.
“Nga sot, përgjegjësia është e dyfishtë: për të ndërtuar unitet real dhe për ta kthyer LDK-në në besimin e qytetarëve. Ne e bëmë tonën. Tani radha është për punë”, ka përfunduar Tahiri.
Kuvendi i sotëm i LDK-së u karakterizua nga procesi i votimit për kryetarin duke shënuar një moment të rëndësishëm për stabilitetin dhe drejtimin e ardhshëm të partisë. /Kosova.info/
