Krasniqi: Votëbesimi nuk mbyll debatin: sfida e Abdixhikut dhe e LDK-së
Lidhja Demokratike e Kosovës po kalon një nga periudhat më delikate politike pas humbjes në zgjedhjet nacionale, vlerëson njohësi i zhvillimeve politike, Ilir Krasniqi. Sipas tij, votëbesimi i dhënë kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, e mban atë formalisht në krye të partisë, por nuk e mbyll debatin për krizën e brendshme që po e shoqëron këtë subjekt politik.
Me 164 vota kundër dorëheqjes dhe 136 pro largimit, Kuvendi i LDK-së konfirmoi vazhdimësinë e Abdixhikut në krye të partisë, por njëkohësisht nxori në pah një ndarje të thellë brenda strukturave të saj. Krasniqi thekson se ky rezultat i ngushtë dëshmon se kryetari ka një mandat formal, por përballet me një sfidë reale për të rikthyer unitetin dhe besimin e brendshëm.
“Vendimi për votim të fshehtë dhe fakti që Abdixhiku ofroi dorëheqjen para Kuvendit janë akte të rralla në skenën politike të Kosovës dhe synojnë përgjegjësi e legjitimitet. Megjithatë, votëbesimi nuk e zgjidh krizën, por vetëm e administron atë përkohësisht,” vlerëson Krasniqi për Kosova.info.
Ai shton se fjalimi i Abdixhikut, ku u theksuan mungesa e solidaritetit dhe problemet organizative në parti, e zhvendosi fokusin nga individi te struktura e LDK-së. Sipas tij, kjo qasje është politikisht e arsyeshme, sidomos duke marrë parasysh kontrastin mes fitoreve lokale dhe rënies së theksuar në zgjedhjet nacionale, por kërkon veprime konkrete dhe reforma të thella.
“Në këtë fazë, pyetja kryesore për LDK-në nuk është më se kush e udhëheq partinë, por se si do të udhëhiqet ajo. Pa riorganizim të brendshëm, disiplinë politike dhe përfshirje reale të strukturave, rreziku i stagnimit dhe përçarjes mbetet i pranishëm,” thekson ai.
Sipas Krasniqit, LDK ka zgjedhur vazhdimësinë, por kjo vazhdimësi bart një barrë të madhe politike: rikthimin e besimit të brendshëm dhe të elektoratit. Në të kundërtën, votëbesimi i dhënë sot mund të mbetet vetëm një zgjidhje afatshkurtër për një problem shumë më të thellë.
“Në këtë panoramë, LDK përballet jo vetëm me sfida të brendshme, por edhe me nevojën për të rimodeluar rolin e saj si parti opozitare – duke rishikuar strategjitë e bashkëpunimit, identitetin politik dhe mënyrën e komunikimit me votuesit në të ardhmen,” përfundon Krasniqi. /Kosova.info/
