Rama nderon Kokajn dhe Kryeziun për kualifikimin në Lojërat Olimpike Dimërore Milano–Cortina 2026
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka ndarë sot mirënjohje për sportistët Drin Kokaj dhe Kiana Kryeziu, për arritjen e normës kualifikuese dhe përfaqësimin dinjitoz të Kosovës në Lojërat Olimpike Dimërore Milano–Cortina 2026.
Rama vlerësoi lart suksesin e dy sportistëve duke theksuar se kjo arritje është dëshmi e disiplinës, punës së palodhur dhe përgatitjes serioze, si dhe një kontribut i rëndësishëm për zhvillimin e sportit në vend.
“Ky sukses është fryt i përkushtimit dhe sakrificës së vazhdueshme, ndërsa përfaqësimi i Kosovës në skenën olimpike është një moment me rëndësi të veçantë për sportin dhe imazhin e vendit tonë,” u shpreh Rama.
Ai uroi Kokajn dhe Kryeziun për këtë arritje historike duke shprehur besimin se ata do të vazhdojnë të jenë shembull frymëzimi për të rinjtë dhe sportistët e rinj në Kosovë. /Kosova.info/
